Tensionet rriten para ndeshjes, Izraeli sulmon ashpër trajnerin e Irlandës

Sport

Federata e Futbollit të Izraelit ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të përzgjedhësit të Irlandës, Heimir Hallgrimsson, duke i cilësuar fjalët e tij si “marrëzi, injorancë dhe hipokrizi”. Përplasja ka ndodhur në prag të dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve mes Irlandës dhe Izraelit, të cilat janë shoqëruar me debate të mëdha për shkak të situatës […]

Madhësia e shkronjave

Federata e Futbollit të Izraelit ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të përzgjedhësit të Irlandës, Heimir Hallgrimsson, duke i cilësuar fjalët e tij si “marrëzi, injorancë dhe hipokrizi”.

Përplasja ka ndodhur në prag të dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve mes Irlandës dhe Izraelit, të cilat janë shoqëruar me debate të mëdha për shkak të situatës në Gaza.

Gjatë konferencës për media, Hallgrimsson u pyet se si synon ta mbajë ekipin të fokusuar te futbolli, në një kohë kur në Irlandë ka thirrje të shumta për bojkotimin e ndeshjeve për shkak të zhvillimeve në Gaza.

“E kam thënë tashmë, ne nuk po luajmë me gjenocidin, por kundër gjenocidit. Po luajmë kundër Izraelit, nuk po luajmë me Izraelin”.

Reagimi nga pala izraelite erdhi menjëherë përmes profilit zyrtar të federatës në rrjetin social X.

“Ne kemi kontribuar në botë dhe njerëzimin në shumë fusha, duke fituar një numër mbresëlënës të çmimeve Nobel”.

“Fatkeqësisht, ende nuk kemi gjetur një kurë për marrëzinë, injorancën dhe hipokrizinë që tregon trajneri i kombëtares irlandeze”, thuhej në reagimin e Federatës së Futbollit të Izraelit.

Në vijim të reagimit, federata izraelite iu kundërpërgjigj drejtpërdrejt Hallgrimssonit:

“Ne nuk po luajmë me injorancën, hipokrizinë dhe marrëzinë. Po luajmë kundër një trajneri që i mishëron ato”.

Të dyja ndeshjet mes Irlandës dhe Izraelit do të zhvillohen në terrene neutrale.

Izraeli do të jetë nikoqir në Debrecen të Hungarisë më 27 shtator, ndërsa ndeshja e kthimit, ku Irlanda është skuadra pritëse, do të luhet në Baçka Topolë të Serbisë më 4 tetor.

Në Irlandë prej muajsh është zhvilluar një fushatë për bojkotimin e këtyre ndeshjeve.

Më shumë se 160 sportistë irlandezë kanë nënshkruar një letër të hapur, përmes së cilës u kanë bërë thirrje futbollistëve të kombëtares që të veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre dhe të refuzojnë të luajnë.

Megjithatë, Federata Irlandeze e Futbollit (FAI) votoi në një asamble të jashtëzakonshme në korrik që ndeshjet të zhvillohen.

Hallgrimsson konfirmoi se disa prej futbollistëve ndihen në siklet për shkak të situatës, por theksoi se prania e tyre në grumbullim tregon, sipas tij, një frymë të jashtëzakonshme ekipore në rrethana të vështira. /Telegrafi/