Sylvester Stallone ka treguar se nuk e pranoi rolin e ‘ambasadorit special’ për Hollywood-in, të cilin Donald Trump e kishte njoftuar në janar 2025.
Stallone tha se kishte mësuar për emërimin e tij nga televizioni dhe se askush nuk e kishte pyetur paraprakisht nëse dëshironte ta merrte këtë detyrë.
Në një intervistë të fundit për The Sunday Times, aktori shpjegoi se e konsideronte të pamundur që ai të ndërhynte në mënyrën se si funksionon industria e Hollywood-it, të cilën e përshkroi si një sistem me struktura dhe interesa të veçanta.
Sipas tij, ai i tha Trumpit ‘faleminderit dhe ciao”, duke bërë të qartë se nuk do ta merrte përsipër këtë angazhim.
Trump kishte njoftuar Stallone, Mel Gibson dhe Jon Voight si të dërguar specialë për Hollywood-in, me synimin e deklaruar për të rikthyer aktivitetin e industrisë amerikane të filmit që, sipas tij, kishte humbur punë jashtë vendit.
Stallone, megjithatë, tha se emërimi i tij ishte bërë pa konsultim paraprak me të.
Pavarësisht se nuk pranoi rolin, Stallone ka folur pozitivisht për Trumpin edhe pas këtij episodi.
Në intervistë ai kujtoi një paraqitje në Mar-a-Lago, ku e kishte përshkruar presidentin si një figurë ‘mitike’ dhe kishte shprehur admirimin e tij për atë që Trump kishte arritur.
Stallone ka deklaruar ndër vite se nuk e konsideron veten person politik. /Telegrafi/






