Sa fitojnë klubet pjesëmarrëse në Ligën e Evropës? Publikohen shifrat

Sport

Pjesëmarrja në Ligën e Evropës nuk sjell vetëm prestigj sportiv për klubet, por edhe të ardhura të konsiderueshme financiare. Sa më larg të shkojë një skuadër në garë, aq më i madh bëhet edhe shpërblimi që ajo përfiton. Në sezonin e ri, fondi i përgjithshëm i shpërblimeve në Ligën e Evropës arrin në 565 milionë […]

Madhësia e shkronjave

Pjesëmarrja në Ligën e Evropës nuk sjell vetëm prestigj sportiv për klubet, por edhe të ardhura të konsiderueshme financiare. Sa më larg të shkojë një skuadër në garë, aq më i madh bëhet edhe shpërblimi që ajo përfiton.

Në sezonin e ri, fondi i përgjithshëm i shpërblimeve në Ligën e Evropës arrin në 565 milionë euro, të cilat do t’u shpërndahen klubeve në bazë të rezultateve dhe ecurisë së tyre në kompeticion.

Të 36 skuadrat që kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën e ligës përfitojnë nga 4.3 milionë euro vetëm për pjesëmarrjen në këtë fazë.

Megjithatë, pjesa më e madhe e të ardhurave varet nga rezultatet në fushë. Për çdo fitore, një skuadër shpërblehet me 450 mijë euro, ndërsa për një barazim përfiton 150 mijë euro.

Klubet marrin gjithashtu shpërblime në bazë të pozicionit që zënë në renditjen përfundimtare të fazës së ligës.

Skuadrat që përfundojnë në tetë vendet e para përfitojnë edhe nga 600 mijë euro, ndërsa ato të renditura nga vendi i 9-të deri në të 16-in marrin gjysmën e kësaj shume.

Përveç kësaj, ekziston edhe një tjetër bonus që lidhet drejtpërdrejt me pozicionin në renditje. Shpërblimi nis nga 75 mijë euro për skuadrën që e mbyll fazën e ligës në vendin e 36-të, ndërsa arrin deri në 2.7 milionë euro për ekipin që përfundon në vendin e parë.

Të ardhurat rriten ndjeshëm në fazën eliminatore. Kualifikimi në 1/8 e finales shpërblehet me 1.8 milionë euro, ndërsa kalimi në çerekfinale sjell 2.5 milionë euro.

Për një vend në gjysmëfinale, klubet përfitojnë 4.2 milionë euro, ndërsa skuadra që siguron kualifikimin në finale merr edhe 7 milionë euro.

Në këtë mënyrë, një skuadër që zhvillon një rrugëtim pothuajse perfekt, duke grumbulluar rezultate pozitive dhe duke shkuar deri në fund të garës, mund të përfitojë në total rreth 45 deri në 50 milionë euro.

Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme për klubet pjesëmarrëse, ndonëse mbetet dukshëm më e ulët krahasuar me të ardhurat që mund të sigurohen nga Liga e Kampionëve. /Telegrafi/