Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Haxhiu i ka cilësuar dënimet si “goditje të rëndë” për familjet e tyre dhe si një moment të rëndë për Kosovën dhe shqiptarët.
“Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo tha se mendimet e saj janë me familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilat, sipas saj, prej vitesh kanë përballuar mungesën, pritjen dhe pasigurinë.

“Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu u ka bërë thirrje familjeve që të qëndrojnë të forta, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar me vendimin e shkallës së parë.
“Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, Haxhiu ka folur edhe për luftën e UÇK-së, duke thënë se ajo ishte çlirimtare dhe se aktgjykimi nuk mund ta ndryshojë, sipas saj, natyrën e saj.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se respektimi i drejtësisë nuk duhet të nënkuptojë heshtje për atë që e cilëson si përpjekje për shtrembërimin e historisë.
“Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka kërkuar një qëndrim të qartë edhe nga miqtë dhe aleatët e Kosovës.
“Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë”, ka thënë ajo.
Në fund, ushtruesja e detyrës së presidentes ka bërë thirrje për qetësi dhe bashkim.
“Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”, ka shkruar Haxhiu.
“Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/





