Barcelona ka refuzuar një ofertë zyrtare prej 40 milionë eurosh të paraqitur nga Liverpooli për transferimin e mesfushorit holandez Frenkie de Jong, 29-vjeçar, në afatin kalimtar të janarit.
Sipas raportimit të De Telegraaf, drejtuesit e klubit katalanas, të udhëhequr nga presidenti Joan Laporta, kanë përcaktuar çmimin e largimit të De Jongut në 70 milionë euro, shifër kjo që Barcelona e konsideron minimale për të lejuar transferimin e tij në Ligën Premier.
Drejtuesit e Barcelonës kanë marrë vendimin për ta lehtësuar largimin e mesfushorit, me synimin për të ulur shpenzimet e pagave dhe për të siguruar të ardhura që mund të investohen në përforcimin e repartit defensiv.
Transferimi i Rodri Hernandez ka ndikuar gjithashtu në hapësirën e De Jongut në mesfushë, ndërsa drejtuesit katalanas thuhet se janë të shqetësuar edhe për dëmtimet e shpeshta të holandezit dhe disa episode që lidhen me menaxhimin mjekësor të tij pas Botërorit 2026.
Pavarësisht se De Jong ka humbur shiritin e kapitenit, i cili i është besuar Raphinhas, presidenti Joan Laporta dhe drejtori sportiv Deco nuk pritet të negociojnë për një shumë nën 70 milionë euro.
Barcelona synon të rikuperojë një pjesë të investimit të bërë për transferimin e De Jongut në vitin 2019 dhe nuk dëshiron të ofrojë kushte të favorshme pagese për një rival të drejtpërdrejtë në Ligën e Kampionëve.
Në anën tjetër, trajneri i Liverpoolit, Andoni Iraola, ka kërkuar transferimin e Frenkie de Jongut për të kompletuar alternativat në mesfushë, së bashku me Ryan Gravenberch, Dominik Szoboszlai dhe Alexis Mac Allister.
Trajneri spanjoll beson se aftësia e De Jongut për të avancuar me topin dhe për të ndërtuar aksione nga mesfusha mund të ndihmojë Liverpoolin në përmirësimin e qarkullimit të topit.
Edhe pse holandezi aktualisht është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi, drejtuesit e Liverpoolit janë të gatshëm të marrin përsipër rrezikun mjekësor për ta finalizuar transferimin më 1 janar 2027.
Megjithatë, diferenca prej 30 milionë eurosh mes ofertës fillestare të Liverpoolit dhe kërkesës së Barcelonës ka bërë që negociatat të mbeten për momentin pa marrëveshje.
Përfaqësuesit e Liverpoolit pritet të zhvillojnë një tjetër raund bisedimesh me drejtuesit e Barcelonës gjatë muajit nëntor.
Nëse palët arrijnë një marrëveshje për një shumë që i afrohet 70 milionë eurove, Barcelona synon që të ardhurat nga shitja e De Jongut t’i përdorë për transferimin e një mbrojtësi qendror ndërkombëtar në javët e para të janarit 2027. /Telegrafi/






