Pak metra larg objektit të Gjykatës Speciale, në vendin e quajtur Malieveld, është vendosur ora e pritjes në Hagë, në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qindra shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga Kosova, janë mbledhur sonte në përkrahje të krerëve të UÇK-së, vendimi për të cilët do të jepet nesër.

Deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj, i cili ndodhet në Hagë për të qenë i pranishëm në ditën e shpalljes së vendimit, ka publikuar një video nga atje.
“Ora e fundit e pritjes në Hagë”, ka shkruar Hoxhaj krahas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale.
Aktgjykimi pritet të shpallet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi pritet të përcillet me interes të madh në Kosovë, ndërsa në Hagë kanë mbërritur edhe mbështetës dhe përfaqësues politikë për të qenë të pranishëm në këtë ditë të rëndësishme./Telegrafi/





