Ekskluzive: Dion Kacuri e lë Zvicrën për Kosovën, ftohet për Ligën e Kombeve

Sport

Mesfushori i talentuar Dion Kacuri ka marrë ftesë nga përzgjedhësi Franco Foda dhe do të jetë pjesë e Kosovës për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve. Telegrafi me burime mëson se ish-kapiteni i Zvicrës U21 mori ftesë para dy ditëve nga tekniku gjerman dhe i është përgjigjur pozitivisht “Dardanëve”, duke u bërë kësisoj lojtari më […]

Madhësia e shkronjave

Mesfushori i talentuar Dion Kacuri ka marrë ftesë nga përzgjedhësi Franco Foda dhe do të jetë pjesë e Kosovës për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Telegrafi me burime mëson se ish-kapiteni i Zvicrës U21 mori ftesë para dy ditëve nga tekniku gjerman dhe i është përgjigjur pozitivisht “Dardanëve”, duke u bërë kësisoj lojtari më i ri që do ta mbajë fanellën e Kosovën pasi ka përfaqësuar helvetikët më parë.

22-vjeçari është pjesë e skuadrës austriake Lustenau, i huazuar nga Baseli, ndërsa këtë edicion ka qenë ndër lojtarët më të mirë në klub, ku ka zhvilluar gjashtë paraqitje për të shënuar një gol në proces.

Vlera e tij në “Transfermarkt” është 600 mijë euro ndërsa mori vëmendjen e përzgjedhësit Foda me ndeshjen që zhvilloi kundër Strum Graz, sfidë në të cilën tekniku gjerman ishte i pranishëm në tribunë (u vlerësua me 7.3 nga Sofascore).

Ai luan në pozitën e qendërmesfushorit, megjithatë ka luajtur edhe në pozitën e numrit 10 si dhe të atij 6. Pra, thënë më thjesht si mesfushor ofansiv dhe defansiv.

Lojtari më i ri që i bashkohet Kosovës nga Zvicra, aty vlerësohej si pasuesi i Granit Xhakës

Kësisoj, Kosova e “rrëmben” një top lojtar nga Zvicra, duke qenë se Kacuri ka luajtur për grupmoshat U18, U19, U20 dhe U21 në proces.

Ai gjithnjë ka qenë tepër i vlerësuar nga mediat zvicerane, që e shihnin si pasuesi ideal i Granit Xhakës, megjithatë lojtari përfundimisht ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar.

22-vjeçari për Zvicrën ka zhvilluar plot 18 paraqitje, pra në të gjitha këto gjenerata, për të shënuar tre gola në proces.

Më e bukura është se Kacuri tashmë njihet me lojtarin që mund ta ketë në krahë, pra Leon Avdullahun, ngase në vitin 2024 edhe kishin qenë titullar së bashku për Baselin.

Përndryshe, lista e plotë e Kosovës do të bëhet publike në fundin e javës. Rikujtojmë, “Dardanët” do t’i zhvillojnë katër paraqitje brenda 14 ditëve, pra dy herë me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.

Aventura e Kosovës do të nisë më 24 shtator ndaj Irlandës në “Fadil Vokrri”, kurse tre ditë më vonë udhëtojmë për Austri. Më 1 tetor ndaj Izraelit në Hungari, kurse sfida e katërt më 4 tetor në Prishtinë kundër Austrisë sërish./Telegrafi/