Tomë Gashi: Presim aktgjykim lirues për ish-krerët e UÇK-së, Gjykata Speciale mos të bie në lajthitje të provave nga Serbia

Nacionale

Vetëm pak orë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, avokati Tomë Gashi ka thënë se pret një vendim lirues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një intervistë për Telegrafin, Gashi ka folur për procesin gjyqësor në Hagë, provat e paraqitura gjatë tij, skenarët e mundshëm […]

Madhësia e shkronjave

Vetëm pak orë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, avokati Tomë Gashi ka thënë se pret një vendim lirues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë për Telegrafin, Gashi ka folur për procesin gjyqësor në Hagë, provat e paraqitura gjatë tij, skenarët e mundshëm të aktgjykimit dhe atë që, sipas tij, do të ndodhte në rast të një vendimi lirues.

“Mendoj që provat të cilat ne i kemi pa në aq pak seanca, sa kanë qenë të hapura për publikun, nuk kemi pa diçka që mund të sjellë një aktgjykim tjetër, përveç aktgjykimit lirues”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mënyrën se si mund të vlerësohen provat që, sipas tij, janë dërguar nga Serbia.

“Frika ime personale, por besoj e një pjese të madhe të ne shqiptarëve, është që Gjykata Speciale mos të bie në lajthim të vlerësimit të provave të dërguara nga Serbia”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, një aktgjykim eventual dënues do të kishte pasoja që do të shkonin përtej fatit individual të katër të akuzuarve, pasi Serbia, sipas tij, do ta përdorte një vendim të tillë politikisht kundër Kosovës.

“Nëse eventualisht do të ketë aktgjykim dënues, atëherë dihet që Serbia këtë kartë do ta përdorë për ta dëmtuar sa më tepër që është e mundshme shtetin e ri të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Gashi ka folur edhe për pretendimet e Prokurorisë lidhur me strukturën dhe zinxhirin komandues të UÇK-së.

Sipas tij, duhet marrë parasysh fakti se UÇK-ja ishte një ushtri vullnetare dhe se zinxhiri komandues nuk mund të krahasohet me atë të një ushtrie të rregullt.

I pyetur se çfarë do të ndodhte në rast të një aktgjykimi lirues, Gashi ka thënë se, sipas vlerësimit të tij, me shpalljen e një vendimi të tillë do të ndërpritej edhe paraburgimi, ndërsa më pas do të mbeteshin çështjet teknike të kthimit të tyre në Kosovë.

“Në momentin që shpallet aktgjykimi lirues, me vendim të njëjtë ndërprehet paraburgimi dhe pastaj janë çështje teknike të organizimit”, ka thënë ai.

Gashi ka shprehur pritjen që, në një skenar të tillë, kthimi në Prishtinë të mund të organizohej brenda ditës.

“Meqenëse aktgjykimi do të shpallet paradite, që i bie brenda ditës aranzhohen fluturimet dhe sillen në Prishtinë”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka thënë se një kthim i tillë do të pritej me një manifestim të madh në Kosovë.

“Ne nuk po themi që aktgjykimi duhet të jetë lirues vetëm që ne jemi shqiptarë, por e drejta ndërkombëtare është në anën tonë”, ka përfunduar Gashi.

Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vjen pas më shumë se pesë vitesh procesi në Hagë, një proces që ka marrë vëmendje të madhe në Kosovë dhe jashtë saj. /Telegrafi/