Shtetet e Bashkuara kanë pranuar për herë të parë publikisht se kanë vendosur një armë në orbitën e Tokës, duke konfirmuar se ushtria amerikane tashmë posedon dhe ka dislokuar kapacitete sulmuese në hapësirë.
Sekretari i Forcave Ajrore amerikane, Troy Meink, tha se arma “në orbitë” është e nevojshme për të mbrojtur trupat amerikane nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve.
Gjatë një fjalimi në Konferencën për Ajrin, Hapësirën dhe Kibernetikën, Meink deklaroi se SHBA-ja është e përgatitur për t’iu përgjigjur “kërcënimeve në zhvillim”. Megjithatë, ai nuk dha detaje rreth llojit të armës, aftësive të saj apo kohës kur ajo është vendosur në orbitë.
Udhëheqës të lartë ushtarakë amerikanë kanë paralajmëruar më herët se SHBA-ja do të zgjerojë kapacitetet e saj ushtarake në hapësirë, veçanërisht përballë programeve të Rusisë dhe Kinës.
Të dyja fuqitë kanë zhvilluar teknologji që mund të përdoren për të sulmuar ose penguar satelitët amerikanë në rast të një konflikti të ardhshëm, transmeton Telegrafi.
Administrata e Donald Trumpit e konsideron gjithashtu hapësirën një komponent kyç të sistemit të planifikuar të mbrojtjes “Golden Dome”, ku kapacitetet hapësinore dhe raketat interceptuese pritet të përdoren për mbrojtjen e SHBA-së nga raketat dhe kërcënime të tjera ajrore.
Një traktat ndërkombëtar i vitit 1967 ndalon vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë në orbitë. Por ai nuk ndalon në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjitha llojet e armëve dhe kapaciteteve kundër-hapësinore.
Për këtë arsye, SHBA-ja, Rusia dhe Kina kanë zhvilluar teknologji që mund të synojnë satelitët e njëra-tjetrës. Këta satelitë janë thelbësorë për komunikimet ushtarake, navigimin dhe mbikëqyrjen.
Në vitin e kaluar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që theksonte se Forca Hapësinore e SHBA-së nuk duhet të kufizohet vetëm në mbrojtjen e aseteve amerikane, por duhet të jetë e aftë të veprojë edhe si forcë sulmuese.
US Space Force, dega më e re e ushtrisë amerikane në më shumë se 70 vjet, u krijua në vitin 2019 për të mbrojtur asetet amerikane në hapësirë, përfshirë qindra satelitë të përdorur për komunikime dhe mbikëqyrje.
Një zëdhënës i Space Force tha se “kontrolli i hapësirës” përfshin aftësitë e nevojshme për të konkurruar dhe kontrolluar domenin hapësinor, duke përdorur mjete kinetike dhe jokinetike për të ndërprerë, dobësuar apo, nëse është e nevojshme, shkatërruar kapacitetet e kundërshtarit.
Sipas tij, këto aftësi mund të përdoren si për operacione mbrojtëse, ashtu edhe për operacione sulmuese, në varësi të urdhrave të komandave ushtarake.
Në fillim të shkurtit u raportua se dy satelitë rusë dyshohet se kanë përgjuar komunikimet e të paktën 12 satelitëve evropianë që prej pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.
Përgjimet mund t’u kenë mundësuar shërbimeve ruse të inteligjencës të lexojnë të dhëna sensitive të transmetuara nga këta satelitë. Teorikisht, ndërhyrje të tilla mund të krijojnë edhe mundësinë e marrjes së kontrollit mbi sistemet satelitore.
Në vitin 2024, SHBA-ja deklaroi se Rusia kishte lëshuar një satelit që, sipas vlerësimit amerikan, mund të ishte në gjendje të sulmonte satelitë të tjerë. Moska nuk dha një koment publik për këtë pretendim.
Forca Hapësinore amerikane thotë se Kina po zhvillon dhe operon “kapacitete hapësinore dhe kundër-hapësinore” si pjesë e modernizimit të saj ushtarak.
Për Rusinë, sipas Space Force, hapësira tashmë konsiderohet “domen lufte”, ndërsa Moska e sheh epërsinë në hapësirë si një faktor që mund të jetë vendimtar në konfliktet e ardhshme.
Deklarata e fundit e Pentagonit për vendosjen e një arme amerikane në orbitë shënon kështu një hap të rëndësishëm në militarizimin e hapësirës dhe në garën strategjike mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. /Telegrafi/






