Lufta me Iranin ka shkaktuar mungesa të konsiderueshme të municioneve dhe armëve të avancuara në arsenalin e ushtrisë amerikane, ndërsa rindërtimi i rezervave mund të kërkojë rreth tre vjet.
Një raport i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, drejtuar Kongresit, konfirmon se përdorimi intensiv i armëve gjatë luftës me Iranin ka krijuar “mungesa strategjike” në inventarin ushtarak të SHBA-së dhe ka nxjerrë në pah pengesa serioze në kapacitetin e industrisë amerikane të mbrojtjes për të rimbushur rezervat.
Nga fillimi i luftës, më 28 shkurt, deri më 30 qershor, “Operation Epic Fury” kushtoi rreth 33.4 miliardë dollarë, ose afërsisht 29 miliardë euro. Vetëm për municione u shpenzuan rreth 22.3 miliardë dollarë.
Ekspertët vlerësojnë se mund të nevojiten rreth tre vjet për rikthimin e rezervave të raketave të avancuara dhe interceptorëve mbrojtës në nivelet që ishin para luftës.
Raporti dokumenton edhe humbje të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake amerikane, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, gjatë konfliktit u shkatërruan katër avionë luftarakë F-15, ndërsa një F-35 u dëmtua. Po ashtu, u dëmtuan ose u shkatërruan shtatë avionë furnizues KC-135, pesë prej të cilëve pasi u goditën nga municionet iraniane ndërsa ndodheshin në tokë në Arabinë Saudite.
Raporti thotë gjithashtu se deri në 30 dronë MQ-9 Reaper mund të jenë shkatërruar. Secili prej këtyre dronëve kushton rreth 30 milionë dollarë.
Pavarësisht gjetjeve të raportit, presidenti amerikan Donald Trump ka vazhduar të minimizojë shqetësimet mbi rezervat e municioneve.
Trump ka deklaruar se SHBA-ja ka furnizime “pothuajse të pakufizuara” dhe se prodhimi i armëve është në nivele rekord.
Në një postim të hënën në platformën e tij Truth Social, ai pretendoi se SHBA-ja po prodhon “më shumë armë të sofistikuara dhe elitare se në çdo periudhë tjetër të historisë sonë”.
Edhe Pentagoni ka insistuar se ushtria amerikane ka armët e nevojshme për të përballuar çdo konflikt.
Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm dokumenton gjithashtu dëme të mëdha në bazat ushtarake amerikane si pasojë e sulmeve iraniane.
Qindra ndërtesa dhe struktura të tjera u dëmtuan ose u shkatërruan në bazat amerikane në Kuvajt, Bahrein, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Irak, Oman dhe Jordani.
Megjithatë, kostoja e riparimit ose rindërtimit të këtyre objekteve nuk është përfshirë në vlerësimin prej 33.4 miliardë dollarësh.
Autoritetet amerikane ende nuk kanë përcaktuar nëse të gjitha objektet e dëmtuara do të rindërtohen dhe as kush do ta mbulojë faturën e këtij rindërtimi.
Raporti nxjerr në pah kështu jo vetëm koston e drejtpërdrejtë të luftës, por edhe presionin që konflikti ka vendosur mbi rezervat strategjike të SHBA-së dhe kapacitetin e industrisë amerikane të mbrojtjes për të zëvendësuar me shpejtësi armët e përdorura.






