Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vendosur sanksione ndaj Yuliia Mendel, e cila më parë ka shërbyer si zëdhënëse e tij. Emri i saj figuron mes 10 shtetasve ukrainas dhe rusë të sanksionuar nga Kievi për përhapje të dezinformatave dhe propagandës ruse.
Zelensky miratoi më 13 shtator një vendim të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës për vendosjen e sanksioneve personale ndaj një numri individësh dhe kompanish.
Mes personave të përfshirë në listë është edhe Yuliia Volodymyrivna Mendel, 40 vjeçe, shtetase ukrainase, e cila ka qenë zëdhënëse e presidentit Zelensky.
Sipas faqes zyrtare të presidentit ukrainas, Zelensky nënshkroi gjithsej tre dekrete që zbatojnë vendime të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, transmeton Telegrafi.
Masat synojnë anije të lidhura me “flotën në hije” të Rusisë, kompani dhe individë të lidhur me korporatën shtetërore ruse Rostec, si dhe persona që justifikojnë agresionin rus ndaj Ukrainës.
Një prej dekreteve vendos sanksione ndaj 20 anijeve detare që Rusia përdor për eksportin e naftës, produkteve të naftës dhe gazit të lëngshëm.
Një tjetër paketë masash prek 29 shtetas rusë dhe 29 kompani ruse, përfshirë subjekte të përfshira në zinxhirët e furnizimit për pajisje industriale me precizion të lartë, elektronikë dhe komponentë që përdoren në prodhimin e raketave dhe dronëve.
Në shënjestër janë gjithashtu kompani që prodhojnë produkte me përdorim të dyfishtë, organizata kërkimore që zhvillojnë dokumentacion teknik për kompleksin ushtarako-industrial rus, si dhe një institucion arsimor që trajnon personel të specializuar për kompanitë e lidhura me koncernin rus Kalashnikov.
Sanksionet përfshijnë edhe kompani që projektojnë zgjidhje dhe furnizojnë me pajisje të teknologjisë së lartë subjektet e kompleksit ushtarak-industrial rus, si dhe kompani të IT-së që zhvillojnë e mirëmbajnë programe për enkriptimin e informacionit, mbledhjen e të dhënave dhe menaxhimin e bazave të të dhënave.
Një tjetër vendim prek 10 shtetas rusë dhe ukrainas, të cilët autoritetet ukrainase i akuzojnë për përhapje të dezinformatave dhe propagandës ruse, si dhe për mbështetje të politikës agresive të Moskës ndaj Ukrainës.
“Yuliia Mendel është mes personave të sanksionuar”, thuhet në njoftimin e presidencës ukrainase.
Mendel shërbeu si zëdhënëse e presidentit Zelensky gjatë viteve të para të presidencës së tij, përpara se të largohej nga posti.
Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se informacionet lidhur me personat, kompanitë dhe subjektet e përfshira në paketën e re të sanksioneve do t’u përcillen partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim koordinimin dhe sinkronizimin e masave ndëshkuese në juridiksione të tjera.
Paketat e reja janë pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për të goditur rrjetet ekonomike, logjistike dhe propagandistike që, sipas Kievit, mbështesin luftën dhe kapacitetet ushtarake të Rusisë. /Telegrafi/






