Donald Trump ka kritikuar sulmet ukrainase ndaj objekteve të karburanteve në Rusi, duke pretenduar se ato po ndikojnë në furnizimin global me naftë.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të karburanteve, duke pretenduar se goditjet ndaj objekteve të naftës dhe karburanteve diesel po kontribuojnë në një mungesë globale.
Trump i bëri komentet gjatë qëndrimit të tij në Irlandë, në kuadër të turneut Irish Open, që po zhvillohet në klubin e tij në Doonbeg, raportoi European Pravda.
I pyetur nëse kishte biseduar me Zelenskyn pas bisedës së tij të fundit me presidentin rus Vladimir Putin, Trump u ndal te sulmet ukrainase ndaj objektivave në Rusi.
“Zoti Zelensky duhet të bëjë një gjë. Ai duhet të ndalojë së godituri karburantin diesel në Rusi”, tha Trump, transmeton Telegrafi.
Ai shtoi se Ukraina mund të vazhdojë të godasë objektiva të tjera, por duhet të shmangë infrastrukturën e karburanteve.
“Le të godasë objektivat, por jo karburantin diesel, sepse po shkakton një mungesë të naftës diesel”, deklaroi presidenti amerikan.
Sulmet ukrainase ndaj rafinerive, depove dhe objekteve të tjera energjetike ruse janë intensifikuar gjatë periudhës së fundit, ndërsa Kievi i konsideron këto infrastruktura pjesë të kapaciteteve që mbështesin makinerinë ushtarake të Moskës.
Megjithatë, në deklaratat e tij, Trump nuk i bëri thirrje presidentit Putin që të ndalojë pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, i cili tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
Qëndrimi i presidentit amerikan vjen në një periudhë kur çështja e furnizimit me karburante dhe ndikimi i luftës në tregjet energjetike vazhdon të jetë një prej shqetësimeve kryesore ndërkombëtare. /Telegrafi/






