Galatasaray raportohet se ka bërë Eduardo Camavingan objektivin kryesor për afatin kalimtar të janarit, me kampionët e Turqisë që po shqyrtojnë mundësinë e huazimit të mesfushorit të Real Madridit me opsion blerjeje.
Sipas mediumit turk Fotomac, Galatasaray tashmë ka nisur përgatitjet për një transferim të mundshëm, ndërsa drejtuesit e klubit kanë kontaktuar me ndërmjetës për të vlerësuar mundësinë e transferimit të 23-vjeçarit në Stamboll.
Kampionët e Turqisë synojnë të përforcojnë mesfushën pas një afati kalimtar ambicioz veror, gjatë të cilit siguruan shërbimet e Victor Osimhen dhe Rafael Leaos. Tash, Camavinga shihet si një tjetër përforcim i madh për pjesën e dytë të sezonit.
Francezi është ende nën kontratë me Real Madridin, por konkurrenca e madhe për një vend në formacion ka bërë që minutat e tij të jenë të kufizuara në fillim të këtij sezoni.
Me Bernardo Silvan, Federico Valverden dhe Aurelien Tchouamenin që kanë pasur një rol të rëndësishëm në qendër të mesfushës, Camavinga e ka pasur të vështirë të sigurojë një vend të rregullt në formacionin bazë.
Galatasaray beson se mundësia për të luajtur rregullisht mund ta bëjë ofertën e tyre tërheqëse për Camavingan, veçanërisht në një periudhë kur edhe përfaqësuesja e Francës po monitoron gjendjen e tij fizike para ndeshjeve të ardhshme ndërkombëtare.
Klubi turk mund t’i ofrojë një rol të rëndësishëm, futboll evropian dhe minuta të garantuara nën drejtimin e trajnerit Okan Buruk.
Aftësia për të bartur topin dhe forca fizike konsiderohen si dy prej cilësive kryesore që Galatasaray kërkon te përforcimi i radhës.
Galatasaray shpreson se marrëdhëniet e tij me ndërmjetësit spanjollë dhe mundësia që Camavinga të ketë një rol të rregullt në formacion mund ta ndihmojnë klubin turk të realizojë një tjetër transferim të bujshëm në janar. /Telegrafi/






