Frika nga AI rritet, Musk dhe Altman mbështesin thirrjen për të ngadalësuar zhvillimin e saj

Teknologji

Drejtuesit e teknologjisë Elon Musk dhe Sam Altman kanë mbështetur një propozim të shefit të Anthropic, Dario Amodei, për vendosjen e kontrolluesve të pavarur brenda kompanive që zhvillojnë modelet më të avancuara të Al. Amodei ka bërë thirrje që kompanitë e AI të ngadalësojnë ritmin e zhvillimit të teknologjisë, në mënyrë që masat e sigurisë […]

Madhësia e shkronjave

Drejtuesit e teknologjisë Elon Musk dhe Sam Altman kanë mbështetur një propozim të shefit të Anthropic, Dario Amodei, për vendosjen e kontrolluesve të pavarur brenda kompanive që zhvillojnë modelet më të avancuara të Al.

Amodei ka bërë thirrje që kompanitë e AI të ngadalësojnë ritmin e zhvillimit të teknologjisë, në mënyrë që masat e sigurisë të mund të ecin në të njëjtin ritëm me përparimin e modeleve.

Ai propozon që vlerësues të jashtëm të kenë qasje të vazhdueshme në sistemet e kompanive, për të kontrolluar nëse respektohen standardet e sigurisë, për të raportuar incidente dhe për të vlerësuar rreziqet gjatë trajnimit të modeleve.

Elon Musk e mbështeti publikisht propozimin, duke thënë shkurt: “Dario ka të drejtë”.

Edhe Sam Altman, drejtuesi i OpenAI, deklaroi se është dakord me nevojën për të frenuar ritmin e zhvillimit të AI.

Ai tha se OpenAI do të ndjekë të njëjtën qasje dhe do të lejojë vlerësues të pavarur të kenë qasje në sistemet e saj.

Sipas Amodeit, plani përfshin tre hapa kryesorë:

Kontrollues të pavarur: ekspertë të jashtëm do të kenë qasje të vazhdueshme në kompanitë e AI për të monitoruar sigurinë dhe për të raportuar problemet.

Bashkëpunim mes vendeve demokratike: kompanitë kryesore do të punojnë për standarde të përbashkëta sigurie dhe kufizime mbi ritmin e zhvillimit të AI.

Koordinim global: SHBA-ja dhe vendet e tjera do të përpiqen të bashkëpunojnë edhe me shtetet autoritare për të shmangur rreziqet më të mëdha.

Thirrja vjen në një kohë kur shqetësimet për keqpërdorimin e AI janë rritur.

Amodei paralajmëroi se zhvillimi i teknologjisë po përshpejtohet ndjeshëm dhe se kompanitë duhet të sigurohen që siguria dhe kontrolli të mos mbeten pas përparimit të Al.