Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga marshimi që po zhvillohet në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka shoqëruar pamjet e marshit me mesazhin e shkurtër: “Liria ka emër.”

Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” të Prishtinës, duke shprehur mbështetjen për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Vendimi për Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin jepet më datën 16 shtator nga Gjykata e Hagës, ku katër ish-zyrtarët e lartë ndodhen në paraburgim që nga viti 2020.





