Dhjetëra të lënduar – zbulohen detaje dhe pamje të aksidentit kur një tren pasagjerësh doli nga shinat në Francë

Bota

Të paktën 44 persona janë lënduar, njëri prej tyre rëndë, pasi një tren që transportonte 186 pasagjerë doli nga shinat në Francën veriore të premten, sipas zyrtarëve. Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, shkroi në rrjetin social X se treni po udhëtonte midis qyteteve Rouen dhe Caen në rajonin e Normandisë. Siç shkruajnë mediat e huaja, […]

Madhësia e shkronjave

Të paktën 44 persona janë lënduar, njëri prej tyre rëndë, pasi një tren që transportonte 186 pasagjerë doli nga shinat në Francën veriore të premten, sipas zyrtarëve.

Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, shkroi në rrjetin social X se treni po udhëtonte midis qyteteve Rouen dhe Caen në rajonin e Normandisë.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, u aktivizua një plan reagimi për incidente me shumë të lënduar, duke mobilizuar 130 zjarrfikës, pesë ekipe mjekësore dhe 80 automjete.

Autoritetet vendore njoftuan se incidenti ndodhi rreth orës 19:45.

“Papritur pati disa tronditje dhe më pas, pas rreth tre sekondash, ato u bënë gjithnjë e më të fuqishme”, tha për mediat vendore një nga pasagjerët, Louis, 24 vjeç.

“Nuk mund të qëndroja më në vendin tim”, shtoi ai. “Dritaret u thyen pjesërisht dhe gurët nga shinat hynë brenda vagonit. Ishte vërtet tronditëse. Ende po dridhem”.

Siç bëhet e ditur më tej, dyzet e katër pasagjerë u lënduan, si dhe një grua 18-vjeçare e cila u evakuua në “gjendje kritike”, sipas Sebastien Gallois, prokurorit të Rouen-it.

Ndërkohë, testet për drogë dhe alkool ndaj drejtuesit të trenit rezultuan negative.

Kompania hekurudhore SNCF Reseau, përgjegjëse për rrjetin hekurudhor francez, u tha mediave vendore se qarkullimi është pezulluar dhe, për të mundësuar ndërhyrjen e shërbimeve të urgjencës, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në shina.

Aksidenti po hetohet nga policia dhe autoritetet hekurudhore. /Telegrafi/