Aktori i njohur kosovar, Naser Rafuna, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili mbahet sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Një ditë para marshit, Rafuna ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook një fotografi dhe një material që lidhet me dy pjesëtarë të forcave jugosllave të vrarë gjatë luftimeve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998.
Në material përmenden nënkoloneli Goran Ostojić, oficer i Brigadës së 63-të Parashutiste, i cili humbi jetën më 28 korrik 1998 gjatë operacioneve luftarake në zonën e Junikut, si dhe kapiteni Željko Martinović, komandant kompanie në batalionin e blinduar të Brigadës së 549-të të Motorizuar, i vrarë më 11 gusht 1998 gjatë luftimeve në Kosovë.
Rafuna e ka shoqëruar publikimin me një mesazh në të cilin i referohet luftëtarëve të UÇK-së që, sipas tij, përballuan dhe thyen superioritetin e forcave jugosllave dhe serbe.
“Për djemtë që superioritetin jugosllav e serb ua shkatërruan. Ranë djemtë si këta e u frikësu ushtria e tretë më e forta dikur në Europë”, ka shkruar aktori.
Në fund të postimit, Rafuna ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në marsh.
“Krejt popullata në Marsh nga ora 14.00”, ka shkruar ai.
Marshi për Liri mbahet sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke nisur nga ora 14:00. /Telegrafi/






