Ekskluzive | Ulutash: KFOR-i nuk ka mandat të vendosë për hapjen e Urës së Ibrit, kjo u takon BE-së dhe institucioneve të Kosovës

Nacionale

Në përfundim të mandatit të tij të dytë në Kosovë, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për Telegrafin se situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm, por sfidat vazhdojnë të jenë të pranishme. Ai ka bërë të ditur se NATO-ja ka nisur përshtatjen graduale të pranisë së KFOR-it, proces që […]

Madhësia e shkronjave

Në përfundim të mandatit të tij të dytë në Kosovë, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për Telegrafin se situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm, por sfidat vazhdojnë të jenë të pranishme.

Ai ka bërë të ditur se NATO-ja ka nisur përshtatjen graduale të pranisë së KFOR-it, proces që mund të kthehet mbrapsht nëse situata përkeqësohet. Duke folur për Urën e Ibrit, Ulutash ka theksuar se KFOR-i nuk ka mandat të vendosë për hapjen e saj, ndërsa ka nënvizuar se rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm është politike dhe jo ushtarake.

Gjeneralmajori turk ka folur edhe për bashkëpunimin e KFOR-it me institucionet e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë, duke e cilësuar atë profesional, konstruktiv dhe të rregullt. Ai ka krahasuar gjithashtu situatën e sotme të sigurisë me atë të fillimit të mandatit të tij, duke theksuar se përmirësimi i saj i ka mundësuar NATO-s të nisë përshtatjen graduale të pranisë së KFOR-it.

Telegrafi: Gjeneral Ulutash, ju po e përfundoni mandatin tuaj të dytë në krye të KFOR-it. Si e vlerësoni sot situatën e sigurisë në Kosovë?

Ozkan Ulutash: Së pari, ka qenë një privilegj i madh të komandoj për herë të dytë misionin e NATO‑s më jetëgjatë dhe aktualisht më të madh. Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit. Pas rritjes së tensioneve dhe dhunës në vitin 2023, përfshirë sulmet e pajustifikueshme kundër paqeruajtësve të KFOR‑it në Zveçan, situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme. Si rezultat i kësaj, NATO ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në KFOR në janar të këtij viti dhe ka nisur një proces për të optimizuar qëndrimin e vet gjatë vitit të ardhshëm. Kjo synon të sigurojë që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për detyrën. Prania e KFOR‑it është përshtatur vazhdimisht që nga viti 1999 për të garantuar që misioni të mbetet i përgjegjshëm ndaj mjedisit të sigurisë në zhvillim. Përgjatë mandatit tim, prioriteti im ka mbetur i pandryshuar: të siguroj që KFOR‑i vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB‑së, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE‑së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës të sigurisë.

Telegrafi: Një çështje që ka marrë vëmendje të madhe së fundi është prania e KFOR-it në Urën e Ibrit. KFOR-i/NATO ka deklaruar se vendimi për hapjen e urës u takon institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Cili është komenti juaj për këtë?

Ozkan Ulutash: Së pari: kalimi gradual i pranisë së përhershme të KFOR‑it në Urën e Ibrit është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit që kam përmendur më herët dhe pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë. Ky tranzicion bazohet në kushte dhe realizohet në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX‑in dhe hisedarët tjerë përkatës. KFOR‑i do të vazhdojë të mbajë një prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës dhe në të gjithë pjesën veriore të Kosovës. Ne mbetemi të gatshëm të reagojmë ndaj zhvillimeve përkatëse të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB‑së. Së dyti: KFOR‑i nuk ka mandat të përcaktojë nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo çështje i takon Bashkimit Evropian dhe institucioneve përkatëse në Kosovë, pasi KFOR‑i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë.

Telegrafi: Cili do të jetë në të ardhmen roli i KFOR-it dhe cili i Policisë së Kosovës në Urën e Ibrit, por edhe në çështje të tjera të sigurisë?

Ozkan Ulutash: KFOR‑i ruan koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX‑in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse si institucione përgjegjëse për reagimin ndaj çështjeve të sigurisë, dhe vazhdon të operojë dhe të monitorojë zhvillimet në të gjithë Kosovën. Zbatimi i ligjit nuk bën pjesë në mandatin e KFOR‑it, por ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve. Policia e Kosovës është një institucion vendor i zbatimit të ligjit, origjina e së cilës derivon nga korniza policore e krijuar nën autoritetin e UNMIK‑ut, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB‑së të vitit 1999. Kapacitetet dhe përgjegjësitë e saj kanë evoluar brenda kësaj kornize, dhe sot ajo vepron si përgjigjësi i parë i sigurisë për zbatimin civil të ligjit dhe sigurinë publike. Ky rol i paraprin procesit aktual të optimizimit të KFOR‑it dhe nuk përbën transferim të mandatit apo përgjegjësive të KFOR‑it. KFOR‑i e mban mandatin e tij të veçantë të sigurisë sipas Rezolutës 1244. Përkushtimi i KFOR‑it ndaj sigurisë së të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë mbetet i palëkundur. Kjo dëshmohet nga prania e vazhdueshme dhe e dukshme e personelit tonë në terren, përmes patrullimeve të rregullta, pikave të vëzhgimit dhe angazhimit me të gjitha komunitetet lokale; si gjithmonë, aktivitetet tona të përditshme kryhen dhe do të vazhdojnë të kryhen duke marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve. KFOR‑i do të mbetet siç duhet me staf, i pajisur, i trajnuar dhe i organizuar në mënyrë të përshtatshme për të zbatuar mandatin e tij, dhe do të mbajë kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të adresuar një mori të gjerë skenarësh të sigurisë në të gjithë Kosovën.

Telegrafi: Si e vlerësoni bashkëpunimin e KFOR-it me institucionet e Kosovës për këto dhe çështje të tjera të sigurisë?

Ozkan Ulutash: KFOR‑i ruan bashkëpunim profesional, konstruktiv dhe të rregullt me të gjithë hisedarët përkatës, përfshirë përfaqësues të Institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe EULEX‑it, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne ruajmë komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm informacioni, në mënyrë që të jemi të pozicionuar siç duhet për të reaguar ndaj çdo zhvillimi përkatës të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë afatgjatë të OKB‑së. Komunikimi dhe koordinimi i vazhdueshëm janë thelbësore për të parandaluar keqkuptimet, për të ulur tensionet dhe për të ruajtur besimin gjatë gjithë procesit. Është thelbësore që të gjithë hisedarët të veprojnë në mënyrë konstruktive, transparente, proporcionalisht dhe me mirëbesim. Kjo është thelbësore për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.

Telegrafi: A është sot situata e sigurisë më stabile sesa kur erdhët për herë të dytë në Kosovë?

Ozkan Ullutash: Po, që nga ajo kohë, situata e përgjithshme e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm. Ky përmirësim i ka mundësuar NATO‑s të fillojë gradualisht përshtatjen e pranisë së KFOR‑it. Ky proces i optimizimit të pranisë së KFOR‑it bazohet në kushte dhe mund të kthehet mbrapsht, nëse këtë e kërkojnë zhvillimet përkatëse të sigurisë që ndikojnë negativisht në sigurinë në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal. Pra, siguria është përmirësuar në të gjithë Kosovën. Megjithatë, sfidat nuk janë zhdukur. Prandaj ne vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme për të siguruar që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për detyrën, në përputhje me mandatin tonë afatgjatë të OKB‑së. Dhe këtë e bëjmë përmes një pranie të vazhdueshme dhe të dukshme në terren dhe përmes aktiviteteve të ndryshme, përfshirë patrullimet e rregullta, pikat e vëzhgimit dhe angazhimin me të gjitha komunitetet lokale. Më lejoni të shtoj se, ndërsa KFOR‑i vazhdon të ofrojë kontribute të rëndësishme ushtarake, rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm është politike. Jo ushtarake. Prandaj NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE‑ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, me respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ullutash me kryredaktorin e Telergrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Korab Basha

Telegrafi: Sa i rëndësishëm është për ju besimi i qytetarëve të Kosovës ndaj KFOR-it dhe çfarë keni bërë gjatë mandatit tuaj për ta forcuar këtë besim?

Ozkan Ulutash: Besimi është fundamental për suksesin e misionit tonë.

KFOR‑i u shërben të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë në mënyrë të paanshme, pavarësisht etnisë, fesë apo përkatësisë politike. Ruajtja e kësaj paanshmërie është thelbësore për ruajtjen e besimit e të gjitha komuniteteve dhe përfaqëson parimin fundamental që udhëheq aktivitetet tona të përditshme. Përgjatë mandatit tim, kam vendosur theks të madh mbi komunikimin faktik dhe transparent, si dhe mbi angazhimin me të gjitha komunitetet lokale. Ekipet tona të Ndërlidhjes dhe Monitorimit mbajnë kontakte të përditshme në të gjithë Kosovën, duke na mundësuar të kuptojmë më mirë shqetësimet lokale dhe të reagojmë në mënyrë të përshtatshme. Besimi ndërtohet përmes qëndrueshmërisë, profesionalizmit, transparencës dhe paanshmërisë. Besoj se këto parime e kanë udhëhequr KFOR‑in gjatë gjithë komandës sime.

Telegrafi: Për fund, çfarë do të mbani mend më së shumti nga mandati juaj i dytë në Kosovë?

Ozkan Ulutash: Mbi të gjitha, do të kujtoj profesionalizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të burrave dhe grave që shërbejnë në KFOR, të ardhur nga më shumë se tridhjetë vende, përfshirë Aleatët dhe partnerët e NATO‑s. Të udhëheqësh një grup kaq mbresëlënës shumëkombësh njerëzish, të bashkuar nga një mision i përbashkët, ka qenë njëherësh nderë dhe privilegj. Do të kujtoj gjithashtu qëndrueshmërinë e njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe mundësitë e shumta që pata për të takuar përfaqësues të të gjitha komuniteteve. Këto angazhime përforcuan bindjen time se siguria e qëndrueshme varet në mënyrë përfundimtare nga dialogu, respekti i ndërsjellë dhe udhëheqja e përgjegjshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë kushtet për një nivel sigurie që zgjat dhe që i shërben nevojave të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Përkushtimi i KFOR‑it për të luajtur rolin e tij në këtë drejtim është i pathyeshëm./Telegrafi/.