Real Madridi po e monitoron nga afër Cesc Fabregasin, të cilin drejtuesit e klubit madrilen e shohin si një kandidat potencial për të drejtuar skuadrën në të ardhmen.
Sipas gazetarit Jorge Picon, puna e Fabregasit te Como ka tërhequr vëmendjen e “Los Blancos”, të impresionuar nga ngritja e shpejtë e spanjollit në mesin e trajnerëve të rinj më premtues në Evropë.
Fabregasi ka bërë një punë të jashtëzakonshme te Como, duke e udhëhequr klubin nga Serie B deri në Ligën e Kampionëve dhe duke krijuar një ekip që ka fituar respektin në futbollin evropian.
Pikërisht ky zhvillim ka bërë që emri i ish-mesfushorit të Barcelonës të shfaqet në planet e Real Madridit për të ardhmen.
Por Fabregasi nuk është i vetmi trajner spanjoll që po monitorohet nga gjiganti madrilen.
Real Madridi po ndjek gjithashtu nga afër punën e Mikel Artetës te Arsenali, me trajnerin bask që është futur në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e skuadrës në të ardhmen.
Megjithatë, madrilenët mund të përballen me konkurrencë të madhe për të dy trajnerët.
Edhe Barcelona po e monitoron situatën e Fabregasit dhe Artetës, duke bërë që dy gjigantët spanjollë të mund të përplasen për të njëjtët trajnerë në të ardhmen.
Fabregasi, në veçanti, ka një lidhje të fortë me Barcelonën, ku është zhvilluar si futbollist dhe ka luajtur për ekipin e parë./Telegrafi/






