Ushtria e Zvicrës në dy pritje ka ofruar verëra të huaja, ka porositur në Itali pure molle dhe gjellëra të gatshme në Estoni – krejt këto kanë nxitur kritika të ashpra në Zvicër, madje deri në parlament. Kërkesa është e qartë: të konsumohen prodhime vendore.
Në fund të gushtit, Qendra e Logjistikës e Ushtrisë së Zvicrës organizoi një pritje në Aigle, në rajonin e prodhimit të verërave Chablais të Zvicrës franceze. Me atë rast, pjesëmarrësve iu shërbyen verëra të shteteve të huaja, jo verë zvicerane.
Tani kjo ngjarje është bërë temë nacionale. Fillimisht protestoi një politikan i majtë, pastaj një i djathtë – madje ky, Yvan Pahud, duke qenë deputet në Parlamentin Federal në Bernë, dorëzoi edhe një mocion dhe e pyeti drejtpërdrejt në Parlament edhe ministrin e Mbrojtjes të Zvicrës. Pahud tha se është çështje e logjikës së shëndoshë që automatikisht të merren parasysh verërat vendore në organizime zyrtare.
Shefi i Qendrës së Logjistikës Ushtarake e pranoi gabimin. Ai tha: «Ne do të duhej të kishim pasur kujdes që të ofronim vetëm verëra zvicerane. Në ngjarjet e ardhshme, të gjitha verërat, qoftë se shërbehen apo shiten, do të jenë vendore.»
Deputeti Yvan Pahud nuk është i kënaqur me këtë shpjegim. Siç shkruan gazeta «Tages-Anzeiger», në vitin 2024 Pahud u revoltua për arsye të ngjashme, kur në Ditën e Familjarëve në zonën ushtarake në Thun (afër Bernës) u shërbye verë italiane. Atëbotë, Qeveria e Zvicrës theksoi se për Ushtrinë e Zvicrës është me rëndësi që në pritje dhe ngjarje të tjera të shërbehet verë vendore.
Rasti me verën nuk është i izoluar. Së fundi u revoltua Shoqata e Pemëtarëve të Zvicrës për shkak se Ushtria kishte porositur pure molle në Itali. Kompania italiane «Melinda» mori një porosi nga Ministria e Mbrojtjes e Zvicrës në vlerë prej 670 mijë frangash. Ushtria u kritikua edhe për shkak se kishte porositur në Estoni ushqime të gatshme për ushtrinë në vlerë prej 5,2 milionë frangash. Kërkesa nga shumë politikanë zviceranë është e qartë: të konsumohen vetëm prodhime vendore. Një deputet tjetër nga kantoni i Wallsit tha qartë: «Vetëm verë zvicerane – çdo gjë tjetër është e papranueshme».






