Qeveria zvicerane ka mbështetur një nismë për heqjen e statusit civil “i divorcuar”, duke argumentuar se ky përcaktim nuk është më i nevojshëm pasi divorci është një çështje ligjore e përfunduar.
Qeveria e Zvicrës ka njoftuar të enjten se dëshiron të eliminojë statusin civil “i divorcuar”, duke mbështetur një nismë të deputetes liberale Nadine Gobet.
Gobet, anëtare e Partisë së Lirë Demokratike, kishte kundërshtuar faktin që personat e divorcuar duhet të deklarojnë në formularët zyrtarë se janë të divorcuar, edhe shumë vite pas përfundimit të martesës.
Sipas saj, ky përcaktim është i panevojshëm, pasi divorci përbën një çështje ligjore që tashmë është mbyllur, transmeton Telegrafi.
“Detyrimi për ta përshkruar veten si ‘i divorcuar’ përgjithmonë do të thotë që një ngjarje private po vazhdon të regjistrohet administrativisht”, kishte argumentuar Gobet.
Ajo ka propozuar që personat e divorcuar të rikthehen në kategorinë “beqar/e” në formularët zyrtarë, në vend që të mbajnë statusin “i divorcuar” gjatë gjithë jetës.
Tani çështja i takon Parlamentit zviceran, i cili duhet të vendosë nëse do ta miratojë propozimin. Në rast miratimi, do të nisë procesi për ndryshimet e nevojshme ligjore.
Nisma synon që statusi civil të mos pasqyrojë pafundësisht një ngjarje personale që, nga pikëpamja juridike, tashmë është përfunduar. /Telegrafi/






