Stacioni i trenit në Zürich është më i miri në Europë – më i keqi gjendet në Gjermani

Bota

Një studim i ri mbi stacionet hekurudhore evropiane (“European Railway Station Index”) ka nxjerrë në pah dallime të mëdha në cilësinë e shërbimeve hekurudhore në kontinent. Ndërsa stacionet zvicerane renditen në majat e klasifikimit, ato gjermane po përballen me dështim të thellë, ku gjashtë nga dhjetë stacionet më të këqija në Evropë ndodhen në Gjermani. […]

Madhësia e shkronjave

Një studim i ri mbi stacionet hekurudhore evropiane (“European Railway Station Index”) ka nxjerrë në pah dallime të mëdha në cilësinë e shërbimeve hekurudhore në kontinent.

Ndërsa stacionet zvicerane renditen në majat e klasifikimit, ato gjermane po përballen me dështim të thellë, ku gjashtë nga dhjetë stacionet më të këqija në Evropë ndodhen në Gjermani.

Sipas studimit, stacioni kryesor i trenit në Bremen të Gjermanisë është renditur si më i keqi në të gjithë Evropën. Aty 63 për qind e trenave kanë vonesa, ndërsa koha mesatare e pritjes arrin në 21 minuta.

Përveç vonesave, udhëtarët ankohen për mungesë dyqanesh dhe ambient të paorganizuar e të papastër. Vonesat sistematike të trenave në Gjermani kanë shkaktuar kaos dhe pakënaqësi të mëdha, duke bërë që asnjë stacion gjerman të mos arrijë në pozicionet e larta.

Vendin e dytë për nga cilësia më e dobët e zë stacioni “Wien Meidling” në Austri, ku një e treta e trenave janë me vonesë dhe mundësitë për të kaluar kohën e pritjes janë të kufizuara.

Në anën tjetër, stacioni kryesor i trenit në Zürich (Zürich HB) renditet i pari në Evropë për nga cilësia, i ndjekur nga stacione të tjera zvicerane si Berni dhe Luzerni.

Në Zürich, koha mesatare e pritjes së trenit është vetëm një minutë, ndërsa stacioni ofron një numër të madh dyqanesh, restorantesh, si dhe infrastrukturë të mirë me ashensorë e shkallë lëvizëse.

Stacioni i Bernit renditet në vendin e pestë në nivel ndërkombëtar. Suksesi i Zvicrës i atribuohet investimeve disadekadëshe, orarit fiks e të sinkronizuar të trenave, si dhe faktit se Zvicra investon më së shumti para për frymë banori në transportin hekurudhor se çdo shtet tjetër.

Stacionet franceze janë renditur dukshëm më mirë se ato gjermane. Franca ka ndërtuar herët një rrjet të veçantë e të centralizuar për trenat e shpejtësisë së lartë (TGV), i cili nuk pengohet nga trenat lokalë apo të mallrave, ndryshe nga Gjermania ku të gjithë trenat shfrytëzojnë të njëjtat shina të mbingarkuara.

Në dhjetën e parë gjenden edhe dy stacione polake: ai i Krakovës dhe i Vroclavit. Hekurudha polake po kalon valën më të madhe të modernizimit në histori, ku qeveria e ka kthyer atë në prioritet strategjik.

Vitin e kaluar, hekurudhat polake transportuan afër 430 milionë udhëtarë, ndërsa transporti i largët shënoi rritje prej 50 për qind të pasagjerëve brenda tre vitesh. /Telegrafi/