Nafta, gazi dhe kostot e huamarrjes rriten, ndërsa shtohen frikërat për përshkallëzimin në Lindjen e Mesme

Bota

Çmimi i naftës ka kaluar në 105 dollarë për fuçi, ndërsa pasiguria për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit në Lindjen e Mesme po rrit shqetësimet se inflacioni mund të përshpejtohet më tej. Përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Gjirin Persik gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar rritje të fortë të […]

Madhësia e shkronjave

Çmimi i naftës ka kaluar në 105 dollarë për fuçi, ndërsa pasiguria për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit në Lindjen e Mesme po rrit shqetësimet se inflacioni mund të përshpejtohet më tej.

Përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Gjirin Persik gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar rritje të fortë të çmimeve të naftës dhe gazit.

Nafta Brent u ngjit sërish mbi 100 dollarë për fuçi të mërkurën dhe vijoi rritjen, duke arritur rreth 105 dollarë, transmeton Telegrafi.

Një nga faktorët kryesorë është situata në Ngushticën e Hormuzit, e cila është praktikisht e mbyllur për trafikun normal, duke penguar furnizimet me naftë dhe gaz nga vendet e Gjirit drejt tregjeve globale.

Frikërat për ndërprerje të mëtejshme të furnizimeve janë shtuar edhe pas raportimeve se forcat Houthi, të lidhura me Iranin, kanë marrë kontrollin e portit të Mocha-s në Jemen, një pikë e rëndësishme në Detin e Kuq.

Një zhvillim i tillë mund të rrisë rrezikun për ndërprerje të mëtejshme të transportit detar në një prej rrugëve kryesore tregtare të botës.

Në tregjet britanike, shqetësimet për rritjen e inflacionit kanë ndikuar ndërkohë në rritjen e yield-eve të obligacioneve shtetërore, të cilat kanë arritur nivele të papara prej dekadash.

Duke folur të mërkurën në një konventë të Partisë Republikane në Teksas, presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk besonte se luftimet do të përfundonin përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA, në nëntor.

Edhe çmimet e gazit natyror janë rritur ndjeshëm në tregjet me shumicë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, çmimi kaloi 200 pence për term për herë të parë që nga fundi i vitit 2022.

Një faktor tjetër shqetësues është niveli i rezervave të gazit në Evropë, të cilat janë dukshëm më të ulëta se zakonisht për këtë periudhë të vitit.

Nevoja për të mbushur rezervat përpara dimrit po ushtron presion shtesë mbi çmimet.

Konsumatorët britanikë janë pjesërisht të mbrojtur nga rritjet afatshkurtra të çmimeve në tregun e gazit përmes kufirit të çmimeve të përcaktuar nga rregullatori Ofgem.

Megjithatë, nëse çmimet mbeten të larta për një periudhë të gjatë, familjet mund të përballen me fatura dukshëm më të shtrenjta.

Kufiri i çmimeve pritet të rritet tashmë me 3.6 për qind në fillim të tetorit, ndërsa ndryshimi i ardhshëm është planifikuar për janar.

Rritja e kostove të energjisë ka shtuar frikën për një rritje të fortë të inflacionit. Kjo, nga ana tjetër, ka ushtruar presion mbi yield-et e obligacioneve qeveritare në mbarë botën.

Në Mbretërinë e Bashkuar, yield-i i obligacioneve 10-vjeçare ka arritur sot nivelin më të lartë që nga viti 2007.

Ndërkohë, yield-et e obligacioneve 20-vjeçare dhe 30-vjeçare janë ngjitur në nivele që nuk ishin parë që nga viti 1998.

Rritja e yield-eve nënkupton një kosto më të lartë huamarrjeje për qeverinë, në një kohë kur financat publike tashmë ndodhen nën presion.

Por pasojat nuk kufizohen vetëm te shteti.

Kostoja më e lartë e huamarrjes mund të prekë drejtpërdrejt edhe familjet, pasi ndikon në normat e interesit që konsumatorët paguajnë për produkte të ndryshme financiare, përfshirë hipotekat me normë fikse.

Kështu, kriza në Lindjen e Mesme po shfaqet gjithnjë e më shumë si një kërcënim jo vetëm për furnizimet globale me energji, por edhe për inflacionin, tregjet financiare dhe buxhetet e familjeve. /Telegrafi/