Aktorja amerikane Gwyneth Paltrow foli për marrëdhënien e saj me Brad Pitt në vitet 1990 gjatë një paraqitjeje në podcastin “Friends Keep Secrets”, duke zbuluar se si vëmendja e madhe e medias e ndikoi atë pas ndarjes së tyre.
Aktorët u takuan në vitin 1994 në sheshxhirimin e filmit “Seven”, dhe marrëdhënia e tyre shpejt u bë objekt i artikujve të shumtë në media.
Paltrow ishte rreth 22 vjeç në atë kohë, ndërsa Pitt ishte nëntë vjet më i madh. Ajo kujtoi se takimi i tyre ishte shumë intensiv.
“U takuam në shesh xhirimi dhe ishte pothuajse dashuri me shikim të parë. Ishte mjaft e mrekullueshme. Shumë argëtuese”, tha aktorja.

Çifti u fejua në vitin 1996, por e ndërpreu fejesën në qershor të vitit pasardhës. Paltrow pranoi se ndarja ishte jashtëzakonisht e vështirë për të, veçanërisht sepse marrëdhënia e tyre ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm publik.
«Isha shumë e dëshpëruar», tha ajo, duke shpjeguar se vëmendja e medias e bëri të gjithë situatën shumë më të madhe nga ç’ishte në të vërtetë.
“Për shkak të presionit mediatik dhe gjithçkaje tjetër, e gjithë kjo bëhet shumë më e madhe nga ç’është në të vërtetë. Pastaj ti mban edhe barrën e kësaj rëndësie të krijuar artificialisht që publiku i jep të gjithave, presionin dhe turpin e shtuar sepse nuk ia dole mbanë”, tha Paltrow.
Aktorja shtoi se ishte shumë e re në atë kohë dhe se Pitt ishte një yll i madh filmi për të.
“Isha shumë e re dhe ai ishte një yll i bukur filmi”, tha ajo.
Edhe pse marrëdhënia e tyre përfundoi gati tre dekada më parë, Paltrow ende e kujton Pitt me dashuri. Ajo zbuloi se ata mbetën miq dhe e përshkroi atë si “një djalë të mrekullueshëm që ajo e do shumë”.
Ajo ka folur për arsyet e ndarjes edhe më parë. Në podkastin e vitit 2023 “Call Her Daddy”, ajo shpjegoi se nuk ishte gati për martesë në atë kohë, edhe pse ndarja ishte shumë e dhimbshme për të.
“Ishte vendimi i duhur në atë kohë, por ishte shumë i vështirë”, tha ajo në atë kohë.
Ajo shpjegoi se Pitt ishte gati për martesë dhe e dinte çfarë donte, ndërsa ajo ishte ende e pasigurt për rrugën e saj të jetës.
“Ai ishte nëntë vjet më i madh se unë, e dinte çfarë donte dhe ishte gati për të, ndërsa unë nuk e dija ende çfarë doja”, kujtoi ajo.
Paltrow pranoi gjithashtu se ndihej sikur nuk po i përmbushte pritjet e të tjerëve, gjë që ndikoi më tej në gjendjen e saj emocionale.
“Ishte një nga ato momente të vështira ku mendova: ‘O Zot, jo vetëm që nuk jam gati, por nuk po i përmbush pritjet’. Ishte ai zë i brendshëm i njohur që shpesh më thoshte se nuk isha mjaftueshëm e mirë”, tha ajo.
Pas Pitt, Paltrow u martua me vokalistin e Coldplay, Chris Martin, në vitin 2003, me të cilin ka dy fëmijë. Të dy u ndanë miqësisht në vitin 2014. Që nga viti 2018, aktorja është e martuar me producentin televiziv Brad Falchuk. /Telegrafi/





