Refuzohet plani franko-gjerman për reformat në BE

Bota

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka minimizuar rëndësinë e planeve për një reformë të thellë të shërbimit diplomatik të BE-së, duke vlerësuar se zbatimi më efikas i rregullave ekzistuese do ta bënte politikën e jashtme të BE-së më efektive. Franca dhe Gjermania kanë paraqitur plane për një reformë gjithëpërfshirëse të Shërbimit […]

Madhësia e shkronjave

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka minimizuar rëndësinë e planeve për një reformë të thellë të shërbimit diplomatik të BE-së, duke vlerësuar se zbatimi më efikas i rregullave ekzistuese do ta bënte politikën e jashtme të BE-së më efektive.

Franca dhe Gjermania kanë paraqitur plane për një reformë gjithëpërfshirëse të Shërbimit Evropian për Veprimin e Jashtëm (EEAS), të cilin e drejton Kallas. Planet përfshijnë edhe dhënien e kompetencave Kallasit mbi njësitë politike të Komisionit Evropian që merren me marrëdhëniet me jashtë, si dhe heqjen e të drejtës së vetos së vendeve anëtare të BE-së për vendimet në këtë fushë.

Megjithatë, pas diskutimit për reformat e propozuara mes ministrave të Jashtëm të BE-së në Wicklow të Irlandës, Kallas tha se shumica e ambasadorëve kishin mbështetur kuadrin ekzistues institucional të EEAS-it.

“Problemi nuk janë traktatet dhe as kuadri institucional. Problemi është zbatimi i tyre”, tha Kallas në një konferencë për media.

Debati për të ardhmen e politikës së jashtme të BE-së dhe fatin e EEAS-it po intensifikohet për shkak të kufizimeve buxhetore, si dhe kritikave se ky shërbim nuk është më i përshtatur me një kohë kur marrëdhëniet mes fuqive botërore janë bërë gjithnjë e më të ashpra.

Ndërkohë, interesimi në rritje i Komisionit Evropian për politikën e jashtme, përfshirë krijimin e një njësie të posaçme për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, ka shkaktuar përplasje kompetencash me Kallasin dhe EEAS-in e saj.

Dokumenti franko-gjerman, ndër të tjera, propozoi që kjo çështje të zgjidhet duke i dhënë Kallasit mbikëqyrjen mbi njësitë politike të Komisionit që janë të orientuara drejt botës së jashtme, përfshirë fushat e migracionit, tregtisë dhe ndihmës për zhvillim.

Kallas e kundërshtoi këtë, duke argumentuar se traktatet e BE-së dhe aktet ligjore tashmë, të paktën në teori, ia japin asaj këtë përgjegjësi, por se ato nuk po zbatohen siç duhet.

Pozita e Kaja Kallas ndodhet në kryqëzimin mes Komisionit Evropian, ku ajo është nënkryetare nën drejtimin e Ursula von der Leyen, dhe Këshillit Evropian, ku është përgjegjëse për koordinimin e qëndrimeve të 27 vendeve anëtare të BE-së për politikën e jashtme.

“Nuk pati mbështetje për përqendrimin e gjithçkaje në Komision, ndërkohë që kjo rol në praktikë nuk zbatohet. Nëse dikush është mbi mua dhe në fakt merr vendimet, atëherë kjo nuk funksionon kështu”, tha Kallas, duke folur për detyrën e saj si përfaqësuese e lartë dhe nënkryetare e Komisionit Evropian.

Para takimit në Wicklow, diplomatë të BE-së i thanë Politico-s se është pak e mundshme që Kallas të mbështesë plane që mund të interpretohen si dhënie e kompetencave më të drejtpërdrejta Ursula von der Leyenit mbi punën e saj. /Telegrafi/