Të paktën 14 persona nga shoqëria civile në Serbi janë vënë në shënjestër të programeve të avancuara të përgjimit (spyware) përpara zgjedhjeve lokale të marsit, bëri të ditur të mërkurën organizata për të drejtat digjitale SHARE Foundation.
Sipas organizatës, kjo valë infektimesh, e zbuluar në muajin gusht pasi Apple njoftoi përdorues në 110 vende se mund të kishin qenë viktima të spyware-it mercenar, është vala më e madhe e dokumentuar e këtij lloji në Serbi deri tani.
Në mesin e personave të shënjestruar janë anëtarë të një lëvizjeje studentore, aktivistë, deputetë të partive opozitare dhe një këshilltar lokal. Të paktën një pajisje është shënjestruar me Pegasus, spyware i prodhuar nga kompania izraelite NSO Group, ndërsa të paktën dy pajisje janë prekur nga një malware i ngjashëm me NoviSpy, shkruan reuters.
Në një rast, telefoni i një anëtari të lëvizjes studentore u shënjestrua me një version “zero-click” të Pegasus, që do të thotë se instalimi nuk kërkonte asnjë veprim nga përdoruesi. NoviSpy u zbulua në telefonin e një studenti, pajisja e të cilit ishte marrë më herët gjatë një marrjeje në pyetje nga policia.
SHARE tha se rastet përkonin me zgjedhjet lokale të 29 marsit në 10 komuna. Organizata paralajmëroi se kjo mund të jetë një pararendëse e veprimeve të ngjashme përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për tetor.
Reuters nuk mundi të përcaktonte se kush qëndronte pas infektimit të pajisjeve. NSO Group ka deklaruar se produktet e saj u shiten vetëm qeverive. Qeveria serbe dhe NSO Group nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Studiuesi i Citizen Lab, John Scott-Railton, tha se gjetjet dhe njoftimet e Apple tregojnë se lëvizja paqësore pro-demokracisë në Serbi po shënjestrohet në mënyrë agresive me spyware mercenar përpara cikleve të rëndësishme zgjedhore të vitit 2026.
Apple tha se më 13 gusht u dërgoi njoftime për kërcënime përdoruesve të shënjestruar në 110 vende dhe se deri tani ka njoftuar përdorues në më shumë se 150 vende. /Telegrafi/






