Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur sot takimin e 301-të, ku ndër të tjera ka marrë vendime lidhur me pensionimin e prokurores Laura Pula dhe dorëheqjen e ish-kryeprokurorit Aleksandër Lumezi nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve.
KPK-ja është njoftuar për pensionimin e prokurores në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.

Me këtë rast, Këshilli ka vendosur që propozimi për lirimin e Pulës nga detyra për shkak të pensionimit t’i përcillet Presidencës së Republikës së Kosovës, në përputhje me procedurat ligjore.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli ka shqyrtuar dhe miratuar edhe dorëheqjen e anëtarit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Aleksandër Lumezi.
Ndërkohë, KPK-ja ka shqyrtuar dhe miratuar raportin e vlerësimit të performancës së shtatë prokurorëve, ndërsa ka refuzuar kundërshtimin e paraqitur nga njëri prej tyre ndaj raportit.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli gjithashtu ka shqyrtuar raportimet vjetore të Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Raporti i Bajramit është miratuar, ndërsa ai i Isufajt nuk është miratuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Po ashtu, gjatë mbledhjes është zgjedhur Bahri Hyseni në pozitën e Zëvendëskryeprokurorit të Shtetit, për një mandat katërvjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat./Telegrafi/





