Margaret Qualley u shfaq për herë të parë në tapetin e kuq që nga raportimet për ndarjen e saj nga Jack Antonoff, teksa mori pjesë në premierën botërore të filmit “The Dog Stars” në Londër.
Aktorja 31-vjeçare, e cila luan rolin e Cimës në filmin fantastiko-shkencor, u shfaq në premierën e mbajtur në Odeon Leicester Square, ku tërhoqi vëmendjen me një fustan të zi me thekë dhe dekolte në formë V-je.
Në paraqitjen e saj, Qualley nuk mbante unazën e martesës. Ajo gjithashtu hoqi këpucët gjatë ecjes në tapetin e kuq, ndërsa më herët kishte zgjedhur një palë sandale të pazakonta Chanel, të përshkruara nga Daily Mail si “barefoot sandals”, pjesë e koleksionit të vitit 2027 të markës.

Qualley u shoqërua në premierë nga bashkë-ylli i saj, Jacob Elordi, i cili luan personazhin kryesor Hig.
Aktori australian u paraqit me një kostum blu të errët me vija të holla, këmishë të bardhë dhe kravatë në të njëjtën nuancë.
Paraqitja e Qualley vjen disa javë pasi u raportua se ajo dhe producenti muzikor Jack Antonoff i kanë dhënë fund martesës së tyre pas rreth tre vitesh.
Dyshja u martua në vitin 2023, ndërsa lajmi për ndarjen u bë publik në korrik të këtij viti.
Ndërkohë, në premierë u shfaqën edhe emra të tjerë të njohur, mes tyre Kimberley Garner, Una Healy, Lottie Moss dhe Myleene Klass.
“The Dog Stars”, me regji të Ridley Scott, sjell në qendër një histori fantastiko-shkencore në një botë të prekur nga një pandemi shkatërruese. /Telegrafi/





