Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në takime të tjera me kryeministrin në detyrë, njëherësh kryetarin e LVV-së Albin Kurti, duke i cilësuar ato si të padobishme dhe si zvarritje të procedurave për konstituimin e institucioneve.
Deputetja e PDK-së, Besa Deliu, tha se partia e saj e ka të qartë qëndrimin dhe se rruga për dalje nga situata aktuale është konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
“PDK-ja e ka qartësuar pozicionin e saj. Ne nuk kemi nevojë që të takohemi më me Albin Kurtin, pasi është parë se këto takime janë farsë. Po të kishte vullnet Albin Kurti, e para do të konstituonte Kuvendin e Kosovës dhe dyta do të sillen në harmoni të plotë me rregullat dhe ligjet e Republikës. Ne nuk do të takohemi me Albin Kurti pasi është parë se këto takime i shërbejnë vetëm zvarritjes së procedurave për ta cuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Këto takime nuk kanë prodhuar asgjë dhe ne jemi të qartë se nuk do të takohemi. Ftesa jonë është të kthehemi te konstituimi dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës”

Ajo i bëri i Kurtit ta zgjedh presidentin pa votat e 22 deputetëve të PDK-së.
“Albin Kurti sot e ka mundësinë pa 22 deputetët e PDK-së që ta zgjedh presidentin. Nuk mund të flitet për marrëveshje politike pa u konstituar Kuvendi dhe organet e tij. Ne do të vazhdojmë aksionet tona, do të jemi çdo mëngjes para qeverisë derisa ata t’i lëshojnë zyrat që i kanë uzurpuar kundërligjshëm. Ka një vendin të Gjykatës Supreme që e saktëson që ata kundërligjshëm mbajnë dy pozita, janë deputet të betuar dhe funksione qeveritare. Pra ushtrojnë funksione të dyfishta, kundërligjshëm”, shtoi ajo.
Duke folur për thirrjen e ShBA-së që të formohen institucionet e reja, ajo theksoi se kërkesa e SHBA-së është në linjën e njëjtë me kërkesën që kanë ata si PDK.
“Thirrjet e sotme të ShBA-së janë në rrugën që po e kërkojmë. Është shqetësim i madh që Kosova duke qenë defunksionale po mbetet e izoluar dhe larg partneritetit. Po humb po ashtu edhe në kuptimin e mirëqenies sociale dhe shoqërore. Unë pres masivizim të protestës sonë. Ditëve në vazhdim do të shihni se kategori të shumta shoqërore do të jenë bashkë me ne për të demonstruar nevojën e funksionalitetit të Republikës. Këto protesta janë për kthim të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”, shtoi ajo.
Përndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.





