Policia e Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një konference të jashtëzakonshme për media, ku do të prezantohen detaje lidhur me operacionet e fundit policore të zhvilluara në disa lokacione në veri të Mitrovicës.
Konferenca do të mbahet sot, më 20 gusht, duke filluar nga ora 16:00, në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, gjatë operacioneve policore është bërë gjetja dhe konfiskimi i një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera relevante. Materialet e konfiskuara pritet të ekspozohen para mediave gjatë konferencës.
Në konferencë pritet të jepen informacione edhe lidhur me veprimet policore në rastin e “Krimeve të Luftës ndaj Popullatës Civile” në Kosovë, për të cilin operacionet po zhvillohen në disa lokacione të dyshuara në Zubin Potok.
Në konferencë do të marrin pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.





