Barcelona po shtyn për transferimin e sulmuesit të Interit, Lautaro Martinez, të cilin e ka vendosur si objektivin kryesor për repartin ofensiv, raporton gazetari Gerard Romero.
Klubi katalanas ka vendosur të fokusohet te kapiteni i Interit pasi tentativa për transferimin e Julian Alvarez nuk u konkretizua. Barcelona e ka pasur argjentinasin në listën e alternativave prej ditësh, ndërsa situata e Alvarez është komplikuar për shkak të qëndrimit të Atletico Madridit për të mos e shitur.

Sipas raportimeve, trajneri Hansi Flick e ka dhënë miratimin për operacionin, ndërsa drejtuesit sportivë të Barcelonës po punojnë për të përcaktuar kushtet financiare të një marrëveshjeje të mundshme.
Lautaro raportohet se e ka hapur derën për një transferim te Barcelona, duke bërë që ai të kthehet në prioritetin kryesor të klubit për sulmin.
Barcelona tashmë ka zhvilluar kontakte me përfaqësuesit e sulmuesit dhe po përgatitet për një përpjekje të madhe financiare për ta bindur Interin të lejojë largimin e kapitenit të tij para mbylljes së afatit kalimtar. Kontaktet mes palëve për Lautaron ishin raportuar edhe më herët, si një alternativë në rast se dështon operacioni për Alvarez.
Nevoja e Barcelonës për një sulmues të ri është bërë edhe më e madhe pas largimit të Ferran Torresit drejt Paris Saint-Germainit, ndërsa klubi katalanas po kërkon një golashënues të nivelit të lartë për të udhëhequr repartin ofensiv.
Tashmë, Lautaro Martinez pritet të jetë një nga emrat kryesorë që Barcelona do të tentojë ta transferojë në ditët e fundit të merkatos./Telegrafi/





