Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka rikonfirmuar vendimin e drejtuesve të klubit për të mos e shitur Julian Alvarezin gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit të Barcelonës.
Simeone ka bërë të qartë se projekti sportiv i Atletico Madridit do të ndërtohet rreth sulmuesit argjentinas, duke e cilësuar atë si lojtarin më të mirë të skuadrës.
Megjithatë, Simeone konfirmoi se Alvarez do ta humbasë ndeshjen hapëse të La Ligës ndaj Malagas, pasi ende nuk është në gjendjen optimale fizike.

“Ende mendoj njësoj si ditën tjetër në Kore. Unë kujdesem për aspektin sportiv. Ne folëm, siç bëjmë gjithmonë, dhe e kuptoj se atij i duhet edhe pak kohë për të qenë në formën optimale të dielën”.
“I duhen edhe disa stërvitje. Ai është lojtari ynë më i mirë dhe do të përpiqemi të ndërtojmë një ekip rreth tij, duke pasur parasysh moshën e tij”, deklaroi Simeone.
Trajneri argjentinas foli gjithashtu për vendimin e pronarit të klubit, Miguel Ángel Gil Marín, për të mos e lejuar largimin e Alvarezit.
“Miguel Angel është pronari i klubit. Nuk ka askush më vendimtar se pronari i klubit, kjo është plotësisht e qartë. Është njësoj sikur një gjykatës të japë një vendim: ‘Nuk ka çështje për t’u shqyrtuar’. Ajo që ai tha është shumë e qartë”.
Simeone theksoi se Atletico dëshiron të kujdeset për Alvarezin si lojtar dhe si person, në mënyrë që ai të vazhdojë të jetë një prej figurave kryesore të klubit.
“Nga këndvështrimi sportiv, duam të kujdesemi për personin, lojtarin, në mënyrë që ai të vazhdojë të ruajë reputacionin që ka”.
“Nuk e shohim duke luajtur në këtë ndeshje. Shpresoj që gjatë këtyre katër ditëve të jetë më pranë nivelit ku duam ta shohim”, përfundoi ai./Telegrafi/





