Liverpooli raportohet se po përgatitet të nisë bisedimet me Alexis Mac Allisterin për një kontratë të re, në përpjekje për të siguruar të ardhmen afatgjatë të mesfushorit në “Anfield”.
Sipas CaughtOffside, drejtuesit e Liverpoolit duan t’i tregojnë argjentinasit se sa i rëndësishëm është për projektin e klubit, veçanërisht pas interesimit të disa prej skuadrave më të mëdha të Evropës dhe Ligës Premier.
Tottenham Hotspur dhe Real Madridi kanë shfaqur interesim për 27-vjeçarin, ndërsa raportohet se edhe Chelsea dhe Manchester City kanë pasur kontakte gjatë javëve të fundit.
Megjithatë, përfaqësuesit e Mac Allisterit kanë refuzuar qasjet e bëra deri tani. Edhe babai i tij kishte deklaruar më herët se mesfushori nuk po mendonte për një largim nga Liverpooli.
“Të Kuqtë” e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë lojtarin dhe, sipas raportimeve, në korrik kishin vendosur një prag prej 100 milionë eurosh për një largim të mundshëm të tij.
Mac Allister iu bashkua Liverpoolit nga Brightoni në vitin 2023 për 42 milionë euro dhe që atëherë është shndërruar në një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, si në nivel klubesh, ashtu edhe me Kombëtaren e Argjentinës.
Me dy vite të mbetura në kontratën aktuale, Liverpooli dëshiron që më vonë gjatë këtij viti të nisë negociatat për një marrëveshje të përmirësuar.
Klubi anglez nuk dëshiron të humbasë një tjetër pjesë të rëndësishme të mesfushës, teksa synon të rikthehet më i fortë pas një sezoni zhgënjyes./Telegrafi/






