Sulmuesi i Galatasarayt, Victor Osimhen, ka reaguar shkurtimisht ndaj raportimeve që e lidhin me një transferim të mundshëm te Arsenali.
Reprezentuesi i Nigerisë është përfolur më herët për një kalim te Chelsea dhe së fundmi edhe te Tottenhami, ndërsa sipas raportimeve të Daily Mail, Arsenali tashmë është shfaqur si favoriti kryesor për transferimin e tij.
Osimhen nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Galatasaray, por ka bërë të qartë se për momentin është i fokusuar te përgatitjet parasezonale dhe puna me klubin turk.
“Gjatë afatit kalimtar gjithmonë ka thashetheme. Unë thjesht do ta bëj punën time. Jam i fokusuar te përgjegjësitë e mia dhe më pas do të shohim dhe do të mendojmë se çfarë vjen më pas”, deklaroi Osimhen.
Kjo deklaratë nuk e konfirmon një transferim te Arsenali, por as nuk e mbyll mundësinë e largimit të tij nga Stambolli gjatë kësaj vere.
Arsenali raportohet se po shqyrton një lëvizje për 27-vjeçarin, ndërsa Galatasaray e vlerëson sulmuesin rreth 67.9 milionë euro.
Nëse “Topçinjtë” vendosin ta konkretizojnë interesimin, Osimhen mund të bëhet një prej goditjeve më të mëdha të Arsenalit në këtë afat kalimtar./Telegrafi/






