Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është e gatshme t’u ofrojë mbështetje Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat po përballen me zjarre në zona të ndryshme.
Maqedonci tha se u ka përcjellë homologëve të tij, ministrave të Mbrojtjes të të dyja vendeve, gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për të vënë në dispozicion kapacitetet që ka në dispozicion.
“Në momente të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi marrin një rëndësi të veçantë”, tha ai.
Maqedonci më tej theksoi se Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet e tjera të Republikës janë të gatshme të kontribuojnë në përballimin e situatës, nëse ndihma e Kosovës vlerësohet e nevojshme. /Telegrafi/






