Një diplomat i lartë rus ka kritikuar bashkëpunimin e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si krijim të një “kuaziblloku ushtarak” që, sipas Moskës, mund të rrisë tensionet në Ballkan.
Jurij Pilipson, drejtor i Departamentit të Dytë Evropian në Ministrinë e Jashtme të Rusisë, tha se formimi i një “boshti të mbyllur” Zagreb–Tiranë–Prishtinë përbën një faktor destabilizues në rajon.
Deklaratat e tij lidhen me deklaratën e përbashkët për bashkëpunimin në mbrojtje, të nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë më 18 mars 2025 në Tiranë.
Dokumenti synon forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, zhvillimin e industrisë ushtarake, rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura dhe zhvillimin e trajnimeve e ushtrimeve të përbashkëta.
Pilipson pretendoi se kjo nismë është pjesë e një politike të NATO-s për “militarizimin e përshpejtuar” të rajonit. Sipas tij, bashkëpunimi mes tri vendeve mund të ketë pasoja për sigurinë e Serbisë dhe të rrisë tensionet në Ballkan.
Diplomati rus tha se Moska ndan shqetësimet e Beogradit, i cili prej fillimit e ka kundërshtuar marrëveshjen. Serbia e ka paraqitur bashkëpunimin si një kërcënim të mundshëm për sigurinë e saj dhe për stabilitetin rajonal, shkruan index.hr.
Në deklaratën e vitit 2025, megjithatë, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia e paraqitën bashkëpunimin si një mekanizëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
Dokumenti përfshin bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, trajnime, ushtrime ushtarake, luftimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura.
Bashkëpunimi trilateral tashmë ka hyrë në fazën e zbatimit. Gjatë vitit 2026 është paralajmëruar edhe zhvillimi i stërvitjes së parë të përbashkët ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2025.
Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova nuk është pjesë e Aleancës. Prishtina synon integrimin euroatlantik dhe anëtarësimin në NATO.
Rusia, ndërkohë, kundërshton forcimin e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës dhe e interpreton atë në kontekstin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo është pjesë e qëndrimit të Moskës dhe Beogradit ndaj statusit të Kosovës.
Marrëveshja mes tri vendeve nuk përbën një aleancë formale të NATO-s dhe nuk krijon një detyrim automatik për mbrojtje të përbashkët. Ajo është një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. /Telegrafi/






