Kurti kërkon mbështetjen e Von der Leyen për statusin kandidat të Kosovës në BE

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë hapa konkretë drejt avancimit të Kosovës në procesin e integrimit evropian, përfshirë dhënien e statusit të vendit kandidat. Pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kurti tha se Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë hapa konkretë drejt avancimit të Kosovës në procesin e integrimit evropian, përfshirë dhënien e statusit të vendit kandidat.

Pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kurti tha se Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Në dhjetor mbushen katër vjet që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në BE. Bazuar në meritat, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, tha Kurti.

Ai kërkoi mbështetjen e presidentes së Komisionit Evropian që kjo çështje të shtyhet përpara në institucionet e BE-së.

“Llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe t’i bëni thirrje Këshillit që të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se Kosova ka shënuar, sipas tij, përparim të qëndrueshëm që nga takimi i parë me Von der Leyen, duke përmendur zhvillimet në demokraci, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm. Ka pasur rritjen më të shpejtë të treguesve demokratikë në rajon në këtë dekadë”, tha Kurti.

Kurti theksoi edhe përafrimin e Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

“Kosova është partnere e besueshme e BE-së dhe jemi 100 për qind të harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë çdo sanksion kundër Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës”, tha ai.

Sipas Kurtit, Kosova po zbaton edhe agjendën e reformave në kuadër të Planit të Rritjes.

“Agjenda e reformave në kuadër të Planit të Rritjes po zbatohet. Çdo reformë do të përmbushet, ju siguroj që asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet mbrapa”, u shpreh kryeministri.

Kurti tha se gjatë takimit me Von der Leyen ka kërkuar edhe anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të mallrave ndërmjet Kosovës dhe vendeve të BE-së.

“Kërkova anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, që mallrat të lëvizin më shpejt dhe me kosto më të ulët mes Kosovës dhe BE-së”, tha Kurti.

Ai përmendi gjithashtu kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në Korporatën Evropiane të Akreditimit.

Në fund, Kurti tha se Kosova ka dëshmuar se mund të bëjë përparim më të madh nëse i hapen më shumë dyer drejt Bashkimit Evropian.

“Kosova ka treguar se çfarë mund të arrijë. Me më shumë dyer të hapura, mund të arrijë më shumë”, përfundoi Kurti. /Telegrafi/