Putini nuk mund të pretendojë më fitoren në Ukrainë, thotë fituesi i Çmimit Nobel për Paqe

Bota

Në zyrat e gazetës Novaya në Moskë korridoret janë të heshtura. Ndjesia e zbrazëtisë është e madhe. “Nuk ka më gazetë”, më thotë ish-kryeredaktori Dmitry Muratov në një intervistë ekskluzive, të publikuar në kanalin BBC News në YouTube. Muratov bashkëthemeloi gazetën Novaya më shumë se 30 vjet më parë. Ajo u bë një nga gazetat […]

Madhësia e shkronjave

Në zyrat e gazetës Novaya në Moskë korridoret janë të heshtura. Ndjesia e zbrazëtisë është e madhe.

“Nuk ka më gazetë”, më thotë ish-kryeredaktori Dmitry Muratov në një intervistë ekskluzive, të publikuar në kanalin BBC News në YouTube.

Muratov bashkëthemeloi gazetën Novaya më shumë se 30 vjet më parë. Ajo u bë një nga gazetat kryesore të gazetarisë së pavarur dhe kritike në Rusi, duke ndriçuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe korrupsionin në nivele të larta.

Në vitin 2021, Muratov u shpall bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqe për përpjekjet e tij “për të mbrojtur lirinë e shprehjes”.

Komiteti Nobel vuri në dukje se “gjashtë nga gazetarët e saj janë vrarë, përfshirë Anna Politkovskaya-n, e cila shkroi artikuj zbulues për luftën në Çeçeni”. Ishte një vlerësim për raportimin e guximshëm.

“Putini nxori një dekret dhe makinat e shtypit të gazetës u shtetëzuan”, shpjegon Muratov. “Regjistrimi i saj u revokua.”

Novaya Gazeta vazhdon të ketë një prani online. Por vetëm sa për të thënë: autoritetet kanë bllokuar qasjen në ueb-faqen e saj. Ajo mund të aksesohet vetëm nga jashtë Rusisë ose me ndihmën e VPN-ve – rrjeteve private virtuale që përdoren për të anashkaluar kufizimet.

Vështirësitë e gazetës pasqyrojnë goditjen më të gjerë ndaj lirisë së shprehjes në Rusi, e cila është përshpejtuar që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Kremlini në vitin 2022.

“Shumica e liderëve të opinionit janë shpallur ‘agjentë të huaj’, ‘ekstremistë’ ose ‘terroristë’. Janë disa qindra”, thotë Dmitry Muratov.

“Shifrat ndryshojnë, por sipas një vlerësimi konservativ, që nga fillimi i ‘operacionit special ushtarak’ të Rusisë [në Ukrainë], të paktën 1,500 njerëz tani ndodhen në burg pasi kanë folur kundër politikës aktuale shtetërore. Kjo është tri herë më shumë se gjatë ditëve të egra të KGB-së në Bashkimin Sovjetik.”

Në fjalimin e tij për Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1975, disidenti Andrei Sakharov renditi emrat e më shumë se 120 të burgosurve politikë për të cilët kishte dijeni në Bashkimin Sovjetik. Një dekadë më vonë, Amnesty International vlerësonte se në BRSS kishte më shumë se 600 të burgosur ‘për arsye të ndërgjegjes’.

Ajo që Kremlini kishte supozuar në vitin 2022 se do të ishte një “operacion ushtarak” i shkurtër dhe i suksesshëm, është shndërruar në konfliktin më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Megjithatë, Presidenti Putin, me vetëbesim, vazhdon të parashikojë fitoren e Rusisë.

“Nuk do të ketë kurrë ‘fitore’”, kundërshton Dmitry Muratov. “Sepse ajo që ka ndodhur për gati pesë vjet – pavarësisht se si përfundon – nuk mund të konsiderohet më fitore.”

“Nuk mund të jetë fitore kur dy kombe sllave kanë bërë copë-copë një milion njerëz. Ose më shumë se një milion.”

“Më duket se situata me Ukrainën tani është kjo: mund ta shkatërrosh, por nuk mund ta pushtosh. Çfarë dua të them me shkatërrim? Përshkallëzim të vazhdueshëm deri në përdorimin e një arme bërthamore.”

Por, a beson vërtet se udhëheqësi i Kremlinit do të përdorte armë bërthamore në këtë luftë?

“Të gjithë ata ekspertë politikë që thonë ‘Putini mendon kështu’ ose ‘Putini ka frikë nga kjo’… janë të gjithë sharlatanë”, pretendon Dmitry Muratov. “Është në të njëjtën linjë me astrologjinë. Askush nuk e di se çfarë po ndodh në kokën e Vladimir Putinit. As unë nuk e di.

“Unë i shoh gjërat vetëm si gazetar. Studioj të dhëna të mëdha. Dhe që nga fillimi i vitit, nevoja për përdorimin e armëve bërthamore është përmendur më shumë se 500 herë. Kur këtë e thonë të çmendurit, nuk i kushtoj vëmendje. Por e kam dëgjuar të diskutohet në televizionin shtetëror. Dhe në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, një ngjarje e organizuar nga shteti, njëri prej folësve e paraqiti përdorimin e armëve bërthamore si diçka të favorshme, diçka të mirë.”

Kur njoftoi pushtimin masiv të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Presidenti Putin foli për “garantimin e sigurisë së Rusisë”.

“Më thoni, a është rritur siguria?” pyet Dmitry Muratov. “Me dronët ukrainas që tani sulmojnë depot e [shitësit më të madh online në Rusi] Wildberries; me krizën e karburantit, ndërprerjet e internetit mobil, të burgosurit politikë? A është rritur siguria apo jo?”

Pavarësisht se sondazhet e opinionit tregojnë rënie të mbështetjes së brendshme për Vladimir Putinin, Muratov beson se vazhdon ta ketë pushtetin nën kontroll të fortë.

“Më falni, por nuk i besoj gjithë këtyre bisedave për përçarje mes anëtarëve të elitës, për komplote të fshehta. Vendi drejtohet nga Vladimir Putin. Ata kanë frikë prej tij.

“Dhe kjo frikë përforcohet në çdo mënyrë nga baza e tij kryesore mbështetëse: Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB).”

Sado kritik të jetë ndaj qeverisë së tij, ai ka pak iluzione edhe për Perëndimin.

“[Putini] e di shumë mirë vlerën e vërtetë të liderëve evropianë. Nga njëra anë, ata flasin me të për të drejtat e njeriut. Ai qesh me të madhe, sepse, me dorën tjetër, ata nënshkruajnë marrëveshje – ose dikur nënshkruanin marrëveshje – me Rusinë për tregtinë e naftës, gazit, diamanteve… të gjitha këto gjëra. Kur i flasin Putinit për vlerat evropiane, ai vërtet qesh me të madhe. Ai e di vlerën e vërtetë të njerëzve që i predikonin këto vlera.”

Në Rusi, Muratov është shpallur “agjent i huaj”, një etiketim që përdoret shpesh për të ndëshkuar kritikët e Kremlinit.

“Agjentët e huaj” kanë të drejta të kufizuara: u ndalohet të japin mësim, të marrin pjesë në zgjedhje; nëse shesin banesën e tyre, nuk mund të kenë qasje në asetet. Etiketimi synon gjithashtu stigmatizimin, për të krijuar ndjesinë në shoqëri se ekziston një armik i brendshëm.

Megjithatë, gazetari duket se ngurron të përqendrohet te presionet që po përjeton, duke preferuar të nxjerrë në pah gjendjen e bashkatdhetarëve të tij që ndodhen në burg.

“Ajo që më shqetëson më shumë tani është se askush në botë nuk është i interesuar për të burgosurit politikë, të cilët ishin të parët që folën kundër grabitjes së territorit në vendin tonë fqinj”, shpjegon Dmitry Muratov, shkruan BBC.

Ai hap një dosje dhe nxjerr një grumbull fotografish të mëdha: portrete të të burgosurve.

Në njërën prej tyre shfaqen katër gazetarë – Antonina Favorskaya, Konstantin Gabov, Sergey Karelin dhe Artyom Kriger – të dënuar dhe burgosur nën akuza për ekstremizëm. Ata ishin akuzuar për lidhje me organizatën kundër korrupsionit të liderit të ndjerë të opozitës, Alexei Navalny.

Është një fotografi e Alexei Gorinov: një këshilltar bashkiak i dënuar me burg për “përhapje të vetëdijshme të informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse, pasi kishte folur kundër luftës në Ukrainë.

“Dhe ky është një pianist i mrekullueshëm, Pavel Kushnir”, thotë Dmitry Muratov. “Një interpretues i jashtëzakonshëm i Rachmaninoff-it dhe Schubert-it.”

Muzikanti u arrestua pasi publikoi video kundër luftës. Dmitry Muratov ngre një fotografi të dytë.

“Dhe ky është ai në arkivolin e tij.”

Pavel Kushnir vdiq në një qendër paraburgimi gjatë një greve urie. Ai ishte 39 vjeç.

Rrjedha e fotografive dhe historive nga burgjet nxjerr në pah rreziqet me të cilat përballen individët e cilësuar si kundërshtarë të pushtetarëve. Është një kujtesë e rreziqeve që mbart kritika publike ndaj autoriteteve dhe luftës.

“A ju jep të qenit fitues i Çmimit Nobel për Paqe të paktën njëfarë mbrojtjeje për të thënë atë që dëshironi?” e pyes.

“Ky nuk është një pyetje për mua”, përgjigjet Muratov. “Sa herë që të keni mundësi, pyetini autoritetet për këtë.”

“Kjo është avokatja e gazetës kur po priste të hynte në ndërtesë. Policia po kontrollonte zyrën tonë. U deshën 13 orë. Dhe ata nuk i lejuan avokatët të hynin. Kryeredaktori ynë administrativ, Oleg Roldugin, tani ndodhet në arrest shtëpiak.”

Dmitry Muratov paraqet një tablo të zymtë të jetës në Rusi për kritikët e autoriteteve.

“Jetojmë në një kohë kur duhet të heshtësh. Por kaq shumë njerëz e mbështesin atë që bëjmë. Në rrugët e Moskës, kolegët e mi dhe unë dëgjojmë vetëm fjalë mirënjohjeje. Ato thuhen me pëshpëritje. Por ajo që mendojnë njerëzit është shumë e rëndësishme”.