PDK: LVV po rrënon rendin kushtetues, do ta mbrojmë shtetin me të gjitha mjetet

Nacionale

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur të hënën mbledhje, ku ka diskutuar për situatën politike dhe institucionale në vend, pas moskonstituimit të Kuvendit dhe vazhdimit të bllokadës institucionale. Në një komunikatë pas mbledhjes, PDK-ja ka vlerësuar se Kosova ndodhet përballë një “krize të thellë kushtetuese dhe institucionale”, e cila, sipas saj, nuk […]

Madhësia e shkronjave

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur të hënën mbledhje, ku ka diskutuar për situatën politike dhe institucionale në vend, pas moskonstituimit të Kuvendit dhe vazhdimit të bllokadës institucionale.

Në një komunikatë pas mbledhjes, PDK-ja ka vlerësuar se Kosova ndodhet përballë një “krize të thellë kushtetuese dhe institucionale”, e cila, sipas saj, nuk mund të trajtohet më si një mosmarrëveshje e zakonshme politike.

Partia opozitare ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shpërfillje të Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe afateve institucionale.

“Vetëvendosja është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit. Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike. Po goditet vetë rendi mbi të cilin qëndron shteti ynë”, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Hamza ka thënë se fillimisht është refuzuar përmbushja e detyrimit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa sipas tij, edhe pas përfundimit të këtij afati po vazhdon mosrespektimi i procedurave institucionale.

“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, ka thënë Hamza.

Sipas PDK-së, pushteti aktual po e zëvendëson funksionimin normal të institucioneve me “arbitraritet institucional”, duke i zbatuar rregullat vetëm atëherë kur ato i përshtaten interesit politik.

“Kushtetuta nuk është opsionale. Institucionet nuk mund të funksionojnë sipas vullnetit të një partie. Kushtetuta përcakton rregullat e ushtrimit të pushtetit, garanton ndarjen dhe balancimin e tij dhe mbron rendin demokratik. Ndërsa në Kosovë pushteti po e pezullon Kushtetutën për nevojat e veta politike”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Partia ka theksuar se interesi i shtetit, Kushtetuta dhe funksionimi i institucioneve duhet të jenë mbi çdo interes partiak apo individual.

“Kjo nuk është betejë për interesin e PDK-së dhe as konflikt mes dy partive. Kjo është çështje e mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe institucioneve të saj”, ka deklaruar Hamza.

PDK-ja ka bërë të ditur se do t’i mobilizojë strukturat e saj në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë degët dhe nëndegët e partisë, në kuadër të veprimeve për mbrojtjen e, siç thuhet, rendit kushtetues dhe funksionimit institucional.

Sipas PDK-së, do të ndërmerren një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike për të kundërshtuar atë që partia e cilëson si degradim të mëtejshëm të institucioneve.

Këto veprime, sipas partisë, do të shoqërohen edhe me konsultime dhe koordinim me subjektet politike, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile që besojnë se shteti dhe Kushtetuta duhet të jenë mbi çdo parti dhe individ.

PDK-ja e ka cilësuar veten si “parti shtet-formuese” dhe ka thënë se e konsideron përgjegjësi politike dhe qytetare të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për normalizimin e shkeljes së rregullave kushtetuese dhe institucionale./Telegrafi.