Nga Kruja e Kurbini në Tiranë e më tej në Mallakastër… zjarret e ndezura kryesisht këtë fillim-gusht kanë djegur rreth 2 400 hektarë me pyje dhe shkurre.
Kjo është sipërfaqja më e vogël e djegur në dekadën e fundit, por vatrat aktive në Abazë, Priskë apo Cikalesh mund të rrisin shifrat në vijim, shkruan A2.

Duke llogaritur shpenzimet për ripyllëzimin, kostot për rigjenerimin e tokës dhe humbjet nga djegia e lëndëve drusore, dëmi ekonomik nga zjarret e këtij viti përllogaritet në gati 15 milionë euro.
Në Shqipëri ka më pak pyje. Zjarret dhe prerjet e paligjshme nga njëra anë dhe mosmbjellja e bimëve të reja nga tjetra po tkurrin nga viti në vit sipërfaqen e gjelbër të vendit, duke arritur në vetëm rreth 1,1 milionë hektarë.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, Mirdita, Puka, Shkodra, Mati, Dibra, Bulqiza, Librazhdi, Erseka dhe Korça janë zonat me ritmin më të lartë të shpyllëzimit, kryesisht si pasojë e zjarreve.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë ndërkohë se pjesa më e madhe e sipërfaqes me pyje në vend përbëhet nga drurë frutorë, ndjekur nga shkurret dhe ata halorë.
Sipas të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme, në harkun e viteve 2019-2025, 134 persona janë proceduar penalisht me akuzën e zjarrvënies së qëllimshme të pyjeve. Nga ana tjetër, të dhënat nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore tregojnë për një numër tejet të ulët të personave të dënuar. Vetëm 4 në 6 vitet e fundit, raporton A2CNN.





