Barcelona vazhdon të ketë Julian Alvarezin si objektivin kryesor për përforcimin e repartit ofensiv, por klubi katalanas tashmë po përgatit edhe një Plan B, në rast se situata me sulmuesin argjentinas nuk zgjidhet.
Sipas El Desmarque, emri i Lautaro Martinezit po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në planet e Barcelonës.
Sulmuesi i Interit vlerësohet shumë si nga trajneri Hansi Flick, ashtu edhe nga drejtori sportiv Deco, të cilët raportohet se e pëlqejnë së tepërmi profilin e tij.
Barcelona beson se kjo javë mund të jetë vendimtare për të ardhmen e Alvarezit.
Argjentinasi pritet të zhvillojë bisedime me trajnerin Diego Simeone dhe drejtuesit sportivë të Atletico Madridit, ndërsa në Barcelonë shpresojnë që ai të shprehë dëshirën për t’u larguar nga klubi madrilen dhe për t’u transferuar në Camp Nou.
Megjithatë, nëse situata mbetet e bllokuar edhe gjatë javës së ardhshme, Barcelona mund të detyrohet të aktivizojë planin alternativ.
Flick dëshiron një tjetër sulmues për të përforcuar ofensivën dhe, në këtë skenar, Lautaro Martinez do të shndërrohej në një opsion serioz.
Për momentin, Julian Alvarez mbetet prioriteti absolut i Barcelonës, por emri i Lautaros po fiton gjithnjë e më shumë terren, ndërsa klubi katalanas përgatitet edhe për mundësinë që operacioni për yllin e Atletico Madridit të dështojë. /Telegrafi/






