Lushaku-Sadriu i bën thirrje LVV-së: Kuvendi duhet të konstituohet sonte

Nacionale

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, i ka bërë thirrje publike subjektit të parë parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje, që të mundësojë vazhdimin e seancës konstituive dhe përmbylljen e procesit brenda afatit kushtetues. Lushaku-Sadriu, në një prononcim nga oborri i Kuvendit, tha se deputetët kanë obligim që ta konstituojnë legjislaturën e 11-të dhe t’i japin […]

Madhësia e shkronjave

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, i ka bërë thirrje publike subjektit të parë parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje, që të mundësojë vazhdimin e seancës konstituive dhe përmbylljen e procesit brenda afatit kushtetues.

Lushaku-Sadriu, në një prononcim nga oborri i Kuvendit, tha se deputetët kanë obligim që ta konstituojnë legjislaturën e 11-të dhe t’i japin vendit institucione funksionale.

“Dola këtu për t’i bërë një ftesë publike subjektit më të madh të Kuvendit të Kosovës për ta thirrur seancën ose vazhdimin e seancës konstituive me qëllim që Kuvendi i Kosovës të konstituohet sonte, brenda afateve kushtetuese”, tha ajo.

Sipas deputetes së LDK-së, është e papranueshme që Kuvendi të mbetet i pakonstituuar, duke vlerësuar se kjo situatë po cenon funksionalitetin e institucioneve dhe ushtrimin e mandatit të deputetëve.

“Vërtetë është për keqardhje që sillet institucioni më i lartë legjislativ në vend në një pozitë të tillë ku sfidohet edhe kushtetutshmëria edhe funksionaliteti, pamundësohet puna e deputetëve për çka kemi marrë legjitimitet për të përfaqësuar qytetarët në institucionin më të lartë të Republikës”, deklaroi Lushaku-Sadriu.

Ajo tha se deputetët e LDK-së janë të gatshëm të marrin pjesë në seancë, pavarësisht nëse partitë kanë arritur apo jo marrëveshje politike.

“Prandaj, është e papranueshme që konstituimi i Kuvendit të Kosovës të mos ndodhë sonte. Ne si deputetë të LDK-së jemi këtu dhe po presim ftesën që kurdo që thirret seanca të bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe të fillojmë funksionalitetin e institucioneve”, tha ajo.

Në fund, Lushaku-Sadriu theksoi se detyrimi për krijimin e institucioneve nuk duhet të kushtëzohet nga marrëveshjet politike.

“Pavarësisht marrëveshjeve politike, është obligimi ynë që t’i japim Kosovës institucione”, përfundoi deputetja e LDK-së.