Mediat më prestigjioze sportive në Itali i kanë kushtuar jehonë të madhe paraqitjes së Edon Zhegrovës në fitoren 1-0 të Juventusit ndaj Chelseat në miqësoren e zhvilluar në Hong Kong.
Sulmuesi i Kosovës ishte protagonisti absolut i takimit, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes, ndërsa në fund u shpall edhe Lojtari i Ndeshjes.
La Gazzetta dello Sport, Tuttosport dhe Calciomercato e vlerësuan lart performancën e 27-vjeçarit, duke theksuar jo vetëm golin vendimtar, por edhe ndikimin që pati në lojën e bardhezinjve gjatë gjithë takimit.
Sipas Calciomercato, Zhegrova nuk e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke humbur disa topa në minutat e para.
Megjithatë, ai reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Portali italian thekson se goli i bukur i shënuar ndaj Chelseat i dha vetëbesim sulmuesit kosovar, i cili më pas filloi të kombinonte cilësinë teknike me efikasitetin në çdo aksion.
“Zhegrova e kompensoi fillimin jo të mirë me një gol të bukur dhe, pas këtij momenti, prodhoi aksione që bashkuan cilësinë teknike me efektivitetin”, shkruan mediumi italian.
Gazzetta dello Sport: Hapi rrugë të reja te Juventusi
Edhe La Gazzetta dello Sport i kushtoi hapësirë të madhe paraqitjes së reprezentuesit të Kosovës.
Sipas gazetës prestigjioze italiane, goli i Zhegrovës ishte momenti që vendosi sfidën dhe i dha Juventusit një fitore prestigjioze ndaj Chelseat.
Gazeta thekson se sulmuesi kosovar shënoi me një goditje të saktë në cepin e portës pas asistimit të Kenan Yildiz dhe vlerëson se ky gol mund të shënojë fillimin e një kapitulli të ri për të te bardhezinjtë.
Po ashtu, Gazzetta kujton se ishte goli i parë i Zhegrovës me fanellën e Juventusit, duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm për të në prag të sezonit të ri.
Tuttosport: “Zhegrova shkatërron Chelsean”
Ndërkohë, Tuttosport zgjodhi një titull të fuqishëm për paraqitjen e kosovarit: “Zhegrova shkatërron Chelsean! Juve siguron një fitore prestigjioze në Hong Kong.”
Gazeta torineze vlerësoi golin spektakolar të 27-vjeçarit nga jashtë zonës, duke e cilësuar si momentin që vendosi ndeshjen në favor të Juventusit.
Përveç vlerësimeve të mediave italiane, edhe Juventusi e shpalli Edon Zhegrovën “Lojtarin e Ndeshjes”, ndërsa vetë futbollisti publikoi në Instagram fotografinë me çmimin individual.
Klubi bardhezi publikoi gjithashtu disa video me momentet më të mira të paraqitjes së tij, duke evidentuar driblimet, aksionet individuale dhe golin që i siguroi Juventusit fitoren ndaj Chelseat. /Telegrafi/






