Organizata AVONET ka kërkuar anulimin e një procedure të prokurimit publik të iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit (MKT), me vlerë të parashikuar prej 743 mijë euro, si dhe ka kërkuar hetimin e zyrtarëve përgjegjës për mënyrën e zhvillimit të kësaj procedure.
Në një reagim publik, AVONET ka bërë të ditur se pas analizimit të dokumentacionit të tenderit me numër 207-26-5948-2-1-1, ka ngritur shqetësime lidhur me angazhimin e 26 personave përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura si kontrata mbi vepër.
Sipas AVONET-it, kjo procedurë nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi, pasi marrëveshjet për shërbime të veçanta janë përdorur për angazhimin e personelit që, sipas tyre, kryen detyra të rregullta dhe të vazhdueshme të institucionit.

“Procedura e iniciuar nga MKT parasheh angazhimin e personave për periudha 12 dhe 36 mujore, me orar të plotë pune, çka tregon se bëhet fjalë për marrëdhënie të vazhdueshme pune dhe jo për shërbime të veçanta apo ekspertizë të përkohshme”, thuhet në reagimin e AVONET-it.
Sipas organizatës, në listën e profileve të kërkuara përfshihen arkitektë, inxhinierë, ekspertë ligjorë, koordinatorë administrativë, administratorë të databazave, interpretues muzealë dhe profile të tjera që lidhen me funksionet e përditshme administrative dhe operative të ministrisë dhe institucioneve vartëse.
AVONET vlerëson se përdorimi i procedurës së prokurimit publik për sigurimin e personelit mund të përbëjë shmangie të procedurave të rregullta të rekrutimit në sektorin publik dhe të cenojë parimet e ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe meritokracisë.
Organizata ka theksuar se një praktikë e tillë krijon rrezik që prokurimi publik të përdoret si mekanizëm për plotësimin e vendeve të punës, në kundërshtim me qëllimin për të cilin janë krijuar Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta.
AVONET ka kërkuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit që të anulojë menjëherë procedurën e prokurimit dhe nevojat për personel t’i adresojë përmes procedurave të rregullta të rekrutimit.
Po ashtu, organizata ka kërkuar nga organet mbikëqyrëse dhe institucionet kompetente që të shqyrtojnë ligjshmërinë e kësaj procedure dhe të ndërmarrin masa administrative e ligjore.
Sipas AVONET-it, nëse vërtetohet se procedura është iniciuar në kundërshtim me ligjin, mund të ketë përgjegjësi administrative, disiplinore apo penale për zyrtarët që kanë marrë pjesë në inicimin, miratimin dhe zhvillimin e saj. /Telegrafi/





