Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur për afrimet e reja të klubit, duke theksuar se Kerim Alajbegovic dhe Randal Kolo Muani kanë sjellë energji dhe entuziazëm në skuadrën bardhezi.
Juventusi do të përballet me Chelsean në një ndeshje miqësore parasezonale, një përballje interesante pasi Alajbegovic ishte shumë pranë transferimit te klubi londinez, para se të vendoste për kalimin në Torino.
Dallimi kryesor, sipas mediave italiane, ishte se te Juventusi talenti boshnjak do të kishte mundësi më të mëdha për të luajtur dhe për të pasur një rol më të rëndësishëm që në fillim.

“Është një lojtar i ri dhe interesant. Drejtori e kishte ndjekur që sezonin e kaluar dhe kishte shumë dëshirë për ta sjellë këtu”, ka thënë Spalletti në konferencë për media.
Alajbegovic u transferua te Juventusi këtë verë, ndërsa bashkë me të klubi italian siguroi edhe rikthimin e sulmuesit francez Randal Kolo Muani, i cili kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer në Torino pas huazimit të tij të parë në janar të vitit 2025.
“Kur lojtarët vijnë me entuziazëm, kjo është gjithmonë një përparësi. Ne i njohim ata dhe i kemi ndjekur prej kohësh. Në letër, skuadra është më e fortë dhe tani duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur, por jam i kënaqur me punën që ka bërë klubi”, shtoi trajneri italian.
Spalletti gjithashtu foli për Kolo Muanin, i cili tashmë njeh disa nga bashkëlojtarët e tij te Juventusi.
“Të gjithë në dhomën e zhveshjes më kanë thënë se ai është një djalë i jashtëzakonshëm. Sa i përket cilësive të tij në fushë, të gjithë e dimë se çfarë mund të bëjë”, deklaroi ai.
Megjithatë, afati kalimtar i Juventusit ende nuk ka përfunduar. “Zonja e Vjetër” vazhdon të kërkojë një sulmues tjetër, një mbrojtës dhe një portier.
“Kam besim të plotë te drejtuesit. Ata e dinë se ka ende disa situata që duhet të përfundojnë dhe për këtë arsye kanë qëndruar për të shfrytëzuar çdo mundësi në afatin kalimtar”, tha Spalletti. /Telegrafi/





