Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez më në fund do të martohen.
Dasma do të zhvillohet në Portugali në fund të kësaj jave.Cristiano foli për herë të parë publikisht për martesën vjeshtën e kaluar.
Në një intervistë me Piers Morgan, ylli portugez tha se ai dhe Georgina do të martoheshin menjëherë pas Kupës së Botës 2026.
Në të njëjtën kohë, ai shprehu shpresën se do ta festonin martesën së bashku me triumfin në Botëror.

“Shpresoj ta festojmë martesën me trofeun e Kupës së Botës. Georgina është gruaja e jetës sime. Ajo që kam kërkuar gjithmonë”.
Thashethemet e para për dasmën u shfaqën në fund të korrikut.
Mediat portugeze raportuan se ceremonia do të mbahej më 1 gusht në pronën Quinta da Regaleira në Sintra, pranë Lisbonës.
Madje, moderatorët e emisionit V+Fama pretenduan se kishin marrë ftesa dhe i shfaqën ato gjatë transmetimit.
Megjithatë, ky informacion u përgënjeshtrua shpejt. Sipas The Sun, dasma do të mbahet të shtunën, më 8 gusht, në ishullin Madeira, vendlindjen e Ronaldos.
Në Madeira ndodhet aeroporti ndërkombëtar që mban emrin e tij, një muze dhe një hotel kushtuar futbollistit.
Të ftuarit nuk do të akomodohen në hotelin e Ronaldos, por në hotelin luksoz Savoy Palace në Funchal, ku çmimet e dhomave aktualisht nisin nga 500 euro nata.
Në orën 15:00 sipas kohës portugeze është planifikuar ceremonia fetare në Katedralen e Funchal-it, kisha më e vjetër e ishullit.
Më pas festa do të vazhdojë në ambientet e hotelit, ku sipas The Sun, dy kate dhe disa restorante do të mbyllen ekskluzivisht për dasmën.
Cristiano dhe Georgina kanë lënë të kuptohet prej kohësh se dasma po afrohej.
Gjatë pushimeve në Mallorca, të dy u panë me unaza të mëdha diamanti në gishtin e unazës.
Pyetja më interesante është se kush do të marrë pjesë në këtë dasmë luksoze.
Deri tani gjithçka mbetet në nivel thashethemesh, por The Mirror, Globo dhe disa faqe të njohura të fansave të Ronaldos kanë publikuar lista me emrat që përmenden më shpesh.
Shumë tifozë ëndërrojnë të shohin edhe Lionel Messin, por mediat më serioze nuk e përmendin emrin e tij në listën e të ftuarve.
Megjithatë, gazetari nigerian Esegbona Luis pretendon se Messi dhe bashkëshortja e tij Antonela kanë marrë ftesë, me iniciativën e Georginës, e cila thuhet se ka marrëdhënie miqësore me Antonelën.
Historia e dashurisë së Cristiano dhe Georginës
Cristiano Ronaldo dhe Georgina u njohën në vitin 2016 në një butik Gucci në Madrid, ku Georgina punonte si shitëse.
Më vonë ata dolën për darkë dhe lidhja e tyre filloi të forcohej.
Në fillim të vitit 2017, Georgina u shfaq për herë të parë në publik me Ronaldon gjatë ceremonisë së çmimeve ‘FIFA The Best’.
Që atëherë e ka shoqëruar në pothuajse çdo event të rëndësishëm.
Në fund të vitit 2017 çifti u bë me një vajzë dhe nisën menjëherë spekulimet për martesë.
Në vitin 2022 ata përjetuan një tragjedi të madhe. Georgina ishte shtatzënë me binjakë, por djali humbi jetën pak pas lindjes, ndërsa vajza, Bella Esmeralda, mbijetoi.
Një vit më vonë u përhapën zëra për një krizë në marrëdhënien e tyre, por të dy i mohuan menjëherë.
Në gusht 2025, Georgina njoftoi fejesën duke publikuar një foto të unazës me mbishkrimin: “Po. Në këtë dhe në të gjitha jetët e mia”.
Tani mbetet vetëm të pritet ceremonia e shumëpërfolur e martesës. /Telegrafi/





