Ballkani është në top 10 klubet me më së shumti paraqitje të zhvilluara në historinë e Ligës së Konferencës pavarësisht që këto dy vitet e fundit ka dështuar ta sigurojë fazën e grupeve.
“Xhebrailat” bënë historinë kur u kualifikuan për herë të parë në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor, duke zhvilluar atë kohë edhe futboll të bukur nën urdhrat e Ilir Dajës.
“Football Meets Data” ka publikuar renditjen e plotë të klubeve me më së shumti ndeshje të zhvilluara që kur u krijua Liga e Konferencës, e vendin e shtatë e zë Ballkani me 36 paraqitje, aq sa kanë gjiganti zviceran Basel si dhe SK Rapid i Austrisë.
Fiorentina mbetet ekipi me më së shumti paraqitje, plot 60 ndërsa ndiqet nga Gent i Belgjikës me 56 dhe AZ Alkmaar me 54 sosh.
Ndërkohë, rikujtojmë se Ballkani nuk kishte fat as sivjet në kualifikuese, ku u eliminua në penallti prej klubit të Irlandës, Bohemians.
Aktualisht vetëm Drita është kandidate për të arritur sërish fazën e grupeve, ngase ka mbërritur në raundin e tretë kualifikues, aty ku do të përballet me ekipin e San Marinos, Tre Fiori./Telegrafi/






