Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se më 1 gusht 2026 do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.
Sipas njoftimit të ministrisë, masa është ndërmarrë bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, të cilat pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius.

Kufizimi në autoudhë do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në orën 17:30, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të lejohet pa kufizime.
Nga kjo masë do të përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar.
“Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. /Telegrafi/





