Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në një takim solemn delegacionet dhe ansamblet pjesëmarrëse në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, Valleve dhe Riteve “N’Karadak Krisin Tupanat”.
Në këtë pritje morën pjesë edhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Valmir Sahiti, si dhe drejtori i festivalit, Arsim Abazi.
Duke iu uruar mirëseardhje mysafirëve, Haliti ka vlerësuar se pjesëmarrja e përfaqësuesve nga vende të ndryshme të botës e pasuron jetën kulturore të Vitisë dhe i jep festivalit një karakter të mirëfilltë ndërkombëtar.
Në edicionin e sivjetmë të festivalit po marrin pjesë delegacione dhe ansamble nga Luksemburgu, Peruja, Panamaja, Polonia, Portugalia, Meksika, Qiproja Veriore, Turqia, Egjipti, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë takimit, kryetari Haliti ka falënderuar delegacionet për pjesëmarrjen e tyre, ndërsa u ka ndarë mirënjohje përfaqësuesve të ansambleve, në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin në promovimin e kulturës dhe folklorit.
Mirënjohje iu nda edhe drejtorit të festivalit, Arsim Abazit, për angazhimin në organizimin e këtij aktiviteti kulturor.
Festivali Ndërkombëtar i Folklorit, Valleve dhe Riteve “N’Karadak Krisin Tupanat” organizohet nën përkrahjen e Organizatës Ndërkombëtare të Festivaleve Folklorike (CIOFF), ku anëtar është edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” nga Vitia.
Në kuadër të aktiviteteve të festivalit, sonte në qytetin e Vitisë do të mbahet nata qendrore artistike, ku qytetarët dhe mërgimtarët do të kenë mundësi të ndjekin performancat e ansambleve pjesëmarrëse. /Telegrafi/






