Luftëtari shqiptaro-amerikan i UFC-së, Dennis “The Great” Buzukja, është bërë një nga emrat më të komentuar para eventit UFC Belgrade, pasi tërhoqi vëmendjen gjatë peshimit zyrtar të zhvilluar sot (e premte) në kryeqytetin serb.
Buzukja e kaloi pa asnjë problem procesin e matjeve dhe, menjëherë pasi zbriti nga peshorja, formoi me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.
Gjesti u bë në mes të Beogradit, vetëm një ditë para duelit të tij në eventin e UFC-së.
Ky veprim u interpretua nga një pjesë e mediave serbe si një provokim, duke e krahasuar me festimet e futbollistëve me origjinë shqiptare, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri në ndeshjet ndaj Serbisë.
Mediat në Serbi pretenduan se simboli kishte prapavijë politike dhe e cilësuan si një mesazh provokues.
Megjithatë, Buzukja reagoi menjëherë në rrjetet sociale, duke mohuar kategorikisht këto pretendime. Ai sulmoi një gazetar që kishte raportuar për rastin dhe theksoi se shqiponja dykrenare ishte thjesht një simbol i identitetit të tij si shqiptaro-amerikan.
“Zero provokim. E tregova shqiponjën shqiptare si një shqiptaro-amerikan. A është kjo provokim?”, shkroi ai, ndërsa ,më poshtë në postim shtoi se njerëzit në Beograd e kanë pritur me respekt dhe se mediat nuk duhet t’i shtyjnë tifozët drejt perceptimeve të gabuara.
Buzukja do të ngjitet në kafaz të shtunën në Belgrade Arena, ku do të përballet me austriakun Bogdan Grad.
Me një rekord prej 12 fitoresh dhe 6 humbjesh në MMA, si dhe vetëm një fitore në pesë paraqitjet e fundit në UFC, kjo sfidë konsiderohet vendimtare për të ardhmen e tij në organizatën më të madhe të arteve marciale mikse. /Telegrafi/






